Opozita, mosbindje civile kundër Ramës

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 17:11 | Nga

Pasi refuzuan platformën e negociatorëve ndërkombëtarë dhe pasi bojkotuan takimin e thirrur nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, partitë e opozitës kanë vendosur të përshkallëzojnë aksionin opozitar. Gjithnjë me një objektiv të qartë politik opozitar që mbetet në interes të partive të tyre: Rrëzimin e Edi Ramës.

Në një takim të mbajtur dje në selinë e PD-së, aleatët e selisë blu kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku shprehin qëndrimin e prerë për krijimin e një qeverie teknike, ndryshe nuk futen në zgjedhje. Duke e cilësuar këtë kërkesë si të panegociueshme, partitë opozitare njoftojnë edhe kalimin në fazën tjetër të protestës; mosbindjen civile. Për këtë qëllim, partitë e opozitës kanë ngritur dhe një shtab i gjithë partive të opozitës, i cili do të koordinojë të gjitha qëndrimet.

Mosbindja civile është një term i përdorur shumë këto ditë nga Partia Demokratike. Në përdorimin politik mosbindja nënkupton thyerjen e ligjeve dhe moszbatimin e tyre. Në deklaratën e bërë nga aleatët e PD-së nuk jepen detaje sesi do të funksionojë aksioni opozitar. Ajo që theksohet është se PD-ja dhe opozita e bashkuar nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve normale në 7 maj në Bashkinë e Kavajës.

Pra nënkupton se opozita dhe militantët e saj nuk do të lejojnë hapjen e qendrave të votimit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje për kreun e ri të Bashkisë së Kavajës. Pra përplasje fizike. Ky skenar është më i keqi i mundshëm dhe janë të gjitha gjasat që të ketë përplasje mes demokratëve, forcave të rendit që zbatojnë ligjin, por edhe militantëve të Partisë Socialiste që do të ndjehen të provokuar nga qëndrimi i opozitës. Kështu do të ndodhë në Kavajë, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike për krizën.

Në deklaratën e djeshme të aleatëve të PD-së bie në sy vendimi për bojkot ndaj çdo tryeze politike për zgjidhjen e krizës. Ato duan vetëm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në këtë pikë, PD dhe aleatët e saj kanë dalë kundër tryezave të thirrur nga partitë në Tiranë, por edhe kundër takimeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Dje aleatët e PD duket se i ka dhënë përgjigje dhe një ftese të bërë nga ambasadorët e ShBA, BE dhe OSBE ku kërkohej një takim informues lidhur me negociatat dhe procesin zgjedhor, shkruan Koha Jonë. Në fakt do jetë takim që ti bindin të futen në zgjedhje pa PD. Në deklaratë thuhet se do të refuzohet çdo klonim dhe opozitë fasadë. “Koalicioni hodhi poshtë përpjekjet për tryeza fasadë me qëllim manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe klonimin e koalicioneve dhe opozitave fasadë në shërbim të narkoqeverisjes”,- thuhet në reagimin e opozitës. Por për të qenë korrekt me të vërtetën ka qenë Sali Berisha me Edi Ramën në 2008-ën, në mesnatë, kur ranë dakord për të masakruar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, Kod që sot është në fuqi dhe po bën masakër elektorale.

Koalicioni opozitar ka larguar çdo dyshim për çarje brenda së djathtës dhe ka shprehur hapur qëndrimin për kalimin në fazën e mosbindjes civile, deri në krijimin e një qeverie teknike.

Ky qëndrim i PD-së e ka komplikuar edhe më tepër situatën politike duke shmangur çdo ndërhyrje tjetër ndërkombëtare. Me dështimin e negociatave të përfaqësuesit të Partive Popullore Europiane dhe me bojkotin e tryezës së thirrur nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, PD-ja ka shmangur çdo rol negociatori duke pasur përballë vetëm Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.

Kavaja do të jetë testi i parë i një krizë të rëndë në vend, që nuk dihet sesi do të marrë fund. Duket se çdo tentativë për arritje e një marrëveshje ka dështuar. Pasi janë anashkaluar të gjithë faktorët që normalizojnë situatën, e vetmja zgjidhje është që ata që e krijuan krizën, Basha dhe Rama, të mendojnë edhe për zgjidhjen e saj.

Deri të shtunën mbetet një fije shprese. Pas të hënës nuk ka më dritë në fund të tunelit. Ka vetëm përballje, përplasje dhe kjo që po i bëjnë popullit, Lulzim Basha dhe Edi Rama, është një masakër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme