Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ka denoncuar qeverisjen e LDK-së dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik me arsyetimin se në shumë tenderë po e favorizojnë një kompani nga Podujeva.
Drejtuesit e kësaj partie kanë thënë se tenderi iu dha kësaj kompanie, megjithëse ato të Lipjanit ofertuan me çmime më të lira.
Berat Kelmendi i PDK-së ka përmendur tenderin e fundit për ndërtimin e shtigjeve të ecjes rreth shtratit të Lumit Sitnica.
“Sa i përket tenderit të fundit të shtigjeve, kjo kompani megjithëse ka qenë më e shtrenjtë se kompania vendase nga Lipjani e ka fituar tenderin, derisa individët e caktuar kanë ndërhyrë në organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Pra, me datën 15.06.2020 si kompani më e lirë është paraqitur kompania “Parajsa” nga Lipjani me vlerë 218.537 euro, ndërsa si kompania e katërt më e shtrenjtë ishte “Eing-Com” me vlerë 246.771”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi ka kërkuar nga Prokuroria dhe Policia e Krimeve Ekonomike t’i hetojnë këta tenderë.
Ndërkaq, pronari i kompanisë “Eing-Com” nga Podujeva, Eljesah Podvorica, përmes telefonit i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe ka thënë se ofertuesit e tjerë në këtë tender nuk i kanë përmbushur kriteret e kërkuara në kontratë.
E pronari i kompanisë “Parajsa” në Lipjan, Milazim Lubovci, duke mos dashur të flasë para kamerës, ka thënë se tashmë e ka autorizuar një avokat për inicimin e një padie ndaj Komunës e OSHP-së.
Zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, ka thënë se Komuna e Lipjanit dy herë radhazi ka shpallur fitues operatorin “Parajsa” SH.P.K, mirëpo operatori tjetër ofertues ka parashtruar ankesë në OSHP, dhe kjo e fundit ka vendosur në favor të tyre.
Ai ka shtuar se në këtë rast Komuna është e detyruar t’i respektojë vendimet e OSHP-së.
OSHP-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve konkrete të KOHËS, por vetëm e ka dërguar vendimin e kësaj lënde në të cilin thuhet se paneli shqyrtues gjatë vlerësimit të tenderëve ka vepruar në harmoni me nenin 59 të LPP-së.