Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, dega në Lipjan, kanë akuzuar ekzekutivin e Komunës për degradim të zonës turistike në fshatin Gadime me arsyetim se në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal është paralajmëruar si pikë e rendit të ditës dhënia e pronave publike në shfrytëzim afatgjatë në këtë fshat.
Sipas opozitës, gjatë vjetëve të fundit është degraduar mjaft shumë zona turistike në Gadime, derisa gurëthyesit po e shfrytëzojnë kodrën përballë shpellës së mermertë për të marrë gurë, ndërkohë për zhvillimin e kësaj veprimtarie po synohej nëpërmjet KK-së të jepen edhe disa prona të tjera për gërmim të gurëve afër kësaj zone.
Rreth kësaj çështjeje, Zyra e kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ia ka propozuar këshilltarëve të KK-së për mbledhjen e radhës një vendim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të komunës për personat fizikë dhe juridikë.