Drejtues të grupeve të këshilltarëve të partive opozitare në KK të Prizrenit kanë shprehur qëndrimin se viti i ri shkollor në këtë komunë po shoqërohet me telashe në aspektin e menaxhimit të shkollave.
Sipas tyre, moszgjedhja me kohë e drejtorëve, por edhe mësimdhënësve, do të kenë efekt negativ në procesin mësimor në këtë vit shkollor, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mirëpo pretendimet e opozitarëve janë hedhur poshtë nga Drejtoria komunale e Arsimit, që ka vlerësuar se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve është afër përmbylljes, ndërkohë që nuk ka pasur vakuum në menaxhimin e shkollave.
Shefi i GK të AAK-së në KK-në e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ka deklaruar se fillimi i vitit të ri shkollor pa drejtorët e zgjedhur të shkollave dhe me ushtrues detyre “është shenjë e keqqeverisjes së pushtetit aktual”.
“Kryetari i Komunës dhe drejtori i Arsimit nuk arritën që në afatin e parë ta ndanin paqësisht midis subjekteve të koalicionit kulaçin e drejtorëve të shkollave, kështu që fillimin e vitit të ri e lanë në duar të ushtruesve të detyrës. Edhe lista e drejtorëve në konkursin e ri është e tëra me militantë partiakë, të partive të pushtetit, prandaj moszgjedhja e drejtorëve me kohë do ta dëmtojë procesin mësimor në këtë vit shkollor”, ka thënë Baldedaj.
Ndërkaq shefi i këshilltarëve të PDK-së, Samir Krasniqi, ka theksuar se nuk është në dijeni nëse ekziston ndonjë vendim për vazhdimin e detyrës së drejtorëve të shkollave, të cilëve u ka skaduar mandati.
Mirëpo drejtori i Arsimit i Prizrenit, Skënder Susuri, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se procesi edukativo-mësimor ka nisur mbarë e mirë pothuajse në të gjitha shkollat e kësaj komune.
“Drejtorët aktualë janë duke punuar. Ata e kanë bërë punën e tyre, dikush më shumë e dikush më pak. Por e them me përgjegjësi se në të gjitha shkollat procesi mësimor ka nisur pa probleme”, ka thënë Susuri.