Autoritetet lokale të Prizrenit kanë deklaruar se në vitin 2018 kanë arritur rekord në të hyrat vetjake komunale. Por ky lavdërim i ekzekutivit, është kritikuar nga opozita, që konsideron se rritja në të hyra është simbolike apo vetëm 50 mijë euro në krahasim me ato të vitit 2017.
Në të njëjtën kohë, opozita konsideron se Qeverisë komunale nuk i hyjnë në punë 50 mijë euro shtesë nga të hyrat vetjake në situatën kur miliona euro i kanë shkuar në suficit nga granti qeveritar, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se është arritur rekord në të hyrat vetjake të komunës.
“Komuna ka shënuar rritje rekorde të të hyrave vetjake. Shuma e përgjithshme e të hyrave vetjake për vitin 2018 ka arritur në 7.186.448,76 €, e cila paraqet vlerën më të lartë të të hyrave të inkasuar nga Komuna e Prizrenit”, ka bërë të ditur ai. Haskuka ka theksuar se këto të hyra të komunës mblidhen nga tatimi mbi pronë, lejet ndërtimore, shfrytëzimi i pronës publike dhe menaxhimi i taksave të ndryshme komunale.