“Opozita në Shqipëri po nxit ndasitë veri-jug si në vitin 1997”

Prishtinë | 05 Pri 2018 | 09:05 | Nga

Opozita po nxit ndasitë mes qytetarëve të veriut të Shqipërisë dhe atyre në jug të vendit. Kështu deklaroi kryetari i komisionit të ligjeve dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja gjatë një interviste televizive dje pasdite, transmeton atsh.

Duke sjellë në vëmendje vitin 1997, Manja tha se e njëjta opozitë që armatosi shqiptarët e veriut kundra atyre të jugut, do të dështojë në po të njëjtën histori që po përsërisin, në nxitjen e ndasive mes veriut e jugut.

“I bëj thirrje kësaj opozite që kanë si kauzë shishen e benzinës dhe dhunën, që të heqin dorë nga kjo mënyrë e të bërit politikë, pasi të gjithë jemi shqiptarë, si në veri dhe jug dhe qeveria është zgjedhur me votë qytetare. Berisha e ka provuar politikën e ndasive të vitit 1997, por doli i dështuar. Këtu janë qytetarët, e dinë 1997, e dinë edhe 1998 ku opozita armatosi shqiptarët e veriut kundër jugut, por fatmirësisht shqiptarët janë 10 hapa para kësaj klase politike që ne kemi. Ndaj edhe këtë radhë është e dështuar, sepse në atë protestë që ndodhi në Kukës ngeli, dhe po kështu edhe ato protesta që bëri përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe Kukësit ngeli me një grusht militantësh, që në ADN-në e të bërit politikë, nuk njohin gjë tjetër përveçse dhunën, benzinën dhe vendosjen e zjarrit”.

Ai e konsideroi të shëmtuar sjelljen e deputetëve demokratë ditën e sotme në dyert e gjykatës, duke thënë se kanë dhunuar jo vetëm statusin e deputetit, por edhe kanë ushtruar presion në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.

“Madje është një sjellje e shëmtuar edhe e kolegëve të mi deputetë të opozitës, në dhunim absolut të statusit të deputetit, presion në Drejtorinë e Policisë në Kukës dhe Tiranë dhe në atë shfaqje të shëmtuar në dyert e drejtësisë”, tha Manja.

Sakaq, ai shtoi se “Është për të ardhur keq që Partia Demokratike, sa herë që shqiptarët janë qasur shtetit të së drejtës për të hapur dyert e Europës ku duam të shkojmë, Shqipërisë i ka dalë pritë çuditërisht dhe fatkeqësisht Partia Demokratike e Shqipërisë me dhunë, me benzinë, me luftë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme