Edhe pse Kryeministri Mustafa mbrëmë paralajmëroi përfshirje të opozitës në dialogun e Brukselit, partitë opozitare mohojnë se do të bëhen pjesë e tij.
Pasi Kryeministri Mustafa mbrëmë vonë tha për KTV-në se formati i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel do të ndryshojë për të pasur përkrahje më të gjerë, duke ofruar përfshirje në të opozitës dhe shoqërisë civile, subjektet opozitare mohojnë se do të jenë pjesë e këtij dialogu.
Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovës Valdete Bajrami kur foli për KALLXO.com propozimin e Mustafës e cilësoi të parealizueshëm.
“Nisma për Kosovën kërkon nga z.Mustafa që të dorëhiqet dhe vendit e qytetarëve t’u ofrohen zgjedhjet e parakohshme dhe të mos flasë e të mos propozojë gjëra që edhe ai e di që nuk janë të realizueshme”, tha Bajrami.
Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj kërkoi që dialogu i deritashëm i nisur në vitin 2011 të ndërpritet.
Lekaj kërkoi që dialogu të zhvillohet ndryshe dhe të ketë afat të caktuar.
“Ky dialog duhet të ndërpritet, e të bëhet një platformë e kjart, me tema e me kornizë se deri kur dhe çka të bisedohet,” tha Lekaj.
Ai propozoi temat që duhet të trajtojë ky dialog.
“Këto negociata nuk duhet të ndodhin pa i pranuar Serbia si tema njohjen reciproke, kthimin e fondit pensional që ia kanë grabitur Kosovës gjatë luftës, kthimin e artefakteve, zbardhjen e fatit te të pagjeturve, dëmshpërblimi për të gjitha dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës përmes ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve të vet dhe kërkim-faljen për të gjithë atë që e ka shkaktuar në Kosovë,” tha Lekaj.
Edhe në një sondazh të KDI-së të publikuar më 20 janar, të anketuarit kërkuan që çështja e të pagjeturve dhe e dëmeve të luftës të shqyrtohen në dialogun e Brukselit.