Partitë opozitare nuk do t’u përgjigjen thirrjeve të Qeverisë që t’i bashkohen dialogut me Serbinë, i cili është paralajmëruar të vazhdojë në nivel presidentësh dhe kryeministrash.
Nisma për Kosovën, fraksion ky i dalë nga Partia Demokratike e Kosovës, i ka bërë përgjegjës ish-kreun e PDK-së, aktualisht presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Isa Mustafa për degradimin e dialogut.
Madje, sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, dialogu i filluar në vitin 2011 nga qeveria Thaçi 2, “pa ndonjë përgatitje serioze, nuk kishte shans të përfundonte ndryshe”.
“Nga atëherë deri më sot dialogu nuk u përdor asnjëherë si mjet për forcimin e shtetit të Kosovës dhe nxjerrjen e Serbisë nga veriu i vendit, por u përdor nga Thaçi për forcimin e pushtetit të tij personal dhe kthimin e Serbisë në Kosovë, përmes Listës serbe”, ka theksuar Krasniqi gjatë një konference për media.
Kundër dialogut me Serbinë nga Franca është deklaruar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas të cilit Prishtina po dëshmon inferioritet dhe përulje ndaj Beogradit. (Koha Ditore)