Opozita maqedonase nuk ka pritur të kalojnë 100 ditë për të kritikuar punën e qeverisë, por që në ditët e para të punës së saj ka nisur me aktivitete të ndryshme, përfshirë edhe protestuat, të cilat siç thonë drejtuesit e opozitës do të organizohen sa herë që pushteti do të shkel të drejtat e qytetarëve.
Protesta e parë u mbajt kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për çka tani një kohë të gjatë po proteston edhe sektori civil.
“Koalicioni që udhëheq VMRO DPMNE-ja është koalicioni popullor dhe tani e tutje do ta shihni duke protestuar në rrugë për çdo padrejtësi që i bëhet këtij populli. Do të dalim në rrugë të gjithë së bashku për çdo padrejtësi apo vjedhje që i bëhet këtij populli, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për maqedon, shqiptar, turq, serb, boshnjak, rom, apo pjesëtarë të bashkësive tjera etnike”.
“E njëjta do të vazhdojë edhe brenda Kuvendit, ku deputetët tanë se bashku me deputetët tjerë opozitar do të luftojnë kundër çfarëdo qoftë padrejtësie”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në protestën e organizuar në Shkup.
Nga qeveria kanë thënë se protestat janë e drejtë legjitime e garantuar me Kushtetutë, por në rastin e opozitës, kryeministri Zoran Zaev ka thënë se sheh “frustrim” nga humbja e zgjedhjeve. Ai ka ftuar opozitës për qasje konstruktive dhe paraqitjen e pakënaqësive në Kuvend, ku edhe mund të debatohet për çdo vërejtje të saj.
Aleksandar Kërzhalovski, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, për Radion Evropa e Lirë, thotë se është çuditshme, por edhe e pakuptimtë të bëhen protesta të tilla menjëherë pas zgjedhjeve, sepse, siç thotë, qytetarët shprehën mendimin e tyre duke votuar për partitë politike.
Duke kujtuar partitë, në veçanti ato maqedonase VMRO dhe LSDM për humbjen e rreth 250 mijë votave, Kërzhalovski thotë se periudha prej njëqind ditësh duhet të përdorohet për forma të tjera të veprimit nga partitë politike.
“Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për inspektim brenda vet partive dhe jo vetëm për të bërë thirrje për protesta të reja për të përfituar nga pakënaqësia e dukshme e qytetarëve. Por, shumica e qytetarëve ende mendojnë se gjendja është më mirë se ajo që ofron VMRO-DPMNE, e cila në vend që të rishqyrtojë veten e saj, tani pret në rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve nga pandemia që pritet të godasë rëndë ekonominë këtë vjeshtë”, thekson Kërzhalovski.
Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se protestat e opozitës maqedonase më shumë janë nxitur nga zhvillimet brenda kësaj partie, apo pas pakënaqësive lidhur me rezultatin zgjedhor.
Me këto protesta, thotë Sinani, kreu i VMRO-së synon të heshtë pakënaqësitë në radhët e saj.
“Protestat e opozitës maqedone kanë dy dimensione; e para është se Hristijan Mickovski (kryetari i VMRO DPMNE-së) dëshiron që të ruajë pozitën që i është lëkundur me humbjen e zgjedhjeve dhe dimensioni i dytë ai i gruevistëve që fshihen pas Sasho Mijallkovit (ish drejtorit të policisë sekrete)që duan edhe një ndarje të partisë për të bërë pazare me qeverinë. Por, VMRO DPMNE-ja është e pafuqishme që të vjen në pushtet pa u reformuar dhe me orientimin e saj prorus”, shprehet Sinani, i cili në anën tjetër e vlerëson si pozitive çdo protestë që mund të organizohet për punën e qeverisë.
“Këto protesta mendoj se nuk janë të dëmshme për arsye se demokracisë i bëjnë mirë kur ka veprime të tilla të cilat e nxisin pushtetin për të punuar më mirë”, vlerëson Sinani.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut u votua më 30 gusht, ndërsa përbëhet nga dy parti politike, Lidhja Social Demokrate që është në koalicion edhe me disa parti më të vogla dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.