Dy partitë opozitare, lëvizja “Vetëvendosje” dhe LDK-ja, nuk do të pranojnë të jenë pjesë e grupit të unitetit për dialog me Serbinë.
Duke e parë si një tentim të presidentit për ta shpërndarë përgjegjësinë rreth asaj që do të pasojë më tutje opozita vlerëson se Kosova tashmë ka institucionet e saj, të cilat duhet të merren me këtë çështje.
Madje, sipas tyre, nëse ky dialog do të përfundojë në mënyrën sesi është nisur, rezultati nuk do të jetë aspak i këndshëm për Kosovën.
Me skepticizëm dialogun mes presidentëve po e shikojnë edhe analistët politikë për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar deri më sot. Ata thonë se ka ardhur koha që këtë dialog ta udhëheqë një grup ekspertësh.
Për riformatimin e këtij dialogu dakord është qeveria “Haradinaj”. Madje Qeveria kërkon edhe garanci nga Bashkimi Evropian për marrëveshjet e arritura.
“Kryeministri Haradinaj ka thënë se dialogu me Serbinë është i paalternativë dhe ai duhet të afatizohet në kohë dhe të riformatohet. Fillimisht duhet të përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog dhe në mënyrë të pashmangshme të riformatohet për ta dhënë rezultatin përfundimtar”, ka thënë Arbër Vllahiu, zëdhënës i Qeverisë, transmeton zeri.info.
Më tej Vllahiu ka bërë të ditur se kryeministri Haradinaj ka deklaruar gjithashtu se do të hapet një dialog i brendshëm me qëllim që të kuptohet mirë edhe qëndrimi i qytetarëve dhe që të mos ketë shpërputhje me udhëheqësit.
“Dialogu me Serbinë nuk mund të zgjasë pafundësisht, duhet të përfundojë me rezultat konkret dhe ai duhet të strukturohet dhe t’i trajtojë temat thelbësore për qytetarët e t’i zgjidhë ato. Dhe së fundi, BE-ja nga lehtësuesi duhet të kalojë në garantues të marrëveshjeve ndërmjet palëve për të siguruar sukses”, ka thënë Vllahiu.