Opozita sondazhet e publikuara i cilëson të manipuluara, thonë se e vërteta është krejt ndryshe

Prishtinë | 27 Dhj 2023 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Të manipuluara po konsiderohen sondazhet e publikuara nga kompania “UBO consulting” të cilat e vendosin të parën LVV-në, me një rezultat prej 48.5 %.

I menjëhershëm ishte reagimi i partive opozitare të cilat po ashtu paraqitën matjet e tyre, të cilat këto parti i nxjerrin shumë më mirë në përqindje votash, se sa sondazhi të cilin e publikoi “UBO consulting”.

Deputeti i partisë opozitare Hisen Berisha, thotë se Qeveria Kurti, përmes manipulimit të sondazheve, po pretendon të konfirmojë në mënyrë false mbështetjen e partisë së tij.

“Po manipulon me qytetarët, po kërconhem prej lufte, me majtë popullin në tension që qytetarët mos me mëndu për problemet tjera që janë, në ekonomi në çdo gjë, në anën tjetër ju jep 100 euro sa për sy e faqe, edhe don me shku në zgjedhje me thanë qe unë nuk e boj zajdnicen ata e bajnë zajednicën edhe pse e ka pranu një marrëveshje të dëmshme të cilën nuk mund ta kthejmë”.

Publikimin e këtij sondazhi, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku e ka cilësuar propagandë të radhës nga pushteti, duke publikuar me këtë rast matjet e partisë së tij, të cilat këtë subjekt e nxjerrin në një përqindje shumë më të lartë.

Deri më tani, kanë përfunduar mbi 17,000 anketa vetëm në regjionin qendër. Rekord anketimesh këto për të siguruar saktësi të paprecedentë statistikore. Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjionin qendër janë: Prishtinë 35%, Lipjan 42%, Podujevë 35%, Obiliq 36%, Fushë Kosovë 34%.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila tash e sa kohë po kërkon zgjedhje përmes mocionit të mosbesimit, thotë se rezultatet e sondazhit të “UBO consulting” janë të porositura. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka përllogaritur koston e një matjeje të opinionit.

“Shtrenjtim enorm i rrymës e i gjithë artikujve elementarë ushqimor. Kosto e jetesës e papërballueshme për më shumë se gjysmën e popullsisë, e dikush po ka para me pagu sondazhe e rezultatin e tyre! Një hulumtim i thjeshtë i opinionit publik sot kushton prej 25-50 mijë euro!Prej nga këto para?! Më e pakta do të duhej që të interesohej Prokuroria, sa paguajnë dhe prej nga i kanë paratë!”

Të ngjashme