Aleanca opozitare kryesore në Sudan u ka bërë thirrje protestuesve të rrëzojnë Këshillin Ushtarak në pushtet, pak pasi 9 persona u vranë nga forcat e sigurisë gjatë një përpjekjeje për të pastruar kampin protestues në kryeqytetin Khartoum, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne bëjmë thirrje që të punojmë për të rrëzuar Këshillin Ushtarak Kalimtar”, tha Aleanca e Lirisë dhe Ndryshimit në një deklaratë.
Ajo u bëri thirrje protestuesve të zhvillojnë tubime paqësore në mbarë vendin dhe të bllokojnë rrugët në kryeqytet dhe qytetet e tjera sudaneze.
“Junta ushtarake ka pritur shumë me premtime të rreme përpara se të zbulojë fytyrën e saj të vërtetë”, tha Aleanca.
Të paktën 9 protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi forcat e sigurisë sudaneze intervenuan për të pastruar kampin kryesor protestues pranë Ministrisë së Mbrojtjes në kryeqytetin Khartoum, njoftoi Komiteti Qendror i Mjekëve Sudanezë.
Demonstruesit në protestat me ulje pranë ministrisë kanë kërkuar që Këshilli Ushtarak Kalimtar, i cili mori qeverisjen pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir në muajin prill, t’ia dorëzojë pushtetin një qeverie civile.
Protestat në Sudan fillimisht nisën më 19 dhjetor të vitit të kaluar kundër krizës ekonomike dhe u përhapën me shpejtësi në kryeqytetin Khartoum dhe në gjithë vendin, duke u shndërruar në protesta kundër regjimit.
Më 11 prill, ushtria sudaneze njoftoi përfundimin e periudhës së Al-Bashirit pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
Këshilli ushtarak vendosi një periudhë dyvjeçare kalimtare gjatë së cilës është zotuar të organizojë zgjedhje presidenciale.
Demonstruesit, megjithatë, kanë mbetur në rrugë për të kërkuar që ushtria të heqë dorë nga pushteti dhe t’ia dorëzojë atë një autoriteti civil.