Opozita tregon kush i tradhtoi për FSK-në

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 09:43 | Nga

Subjektet opozitare (Vetëvendosje, AAK dhe Nisma) kanë fajësuar partitë e pushtetit për mos-mbajtjen e një debati në Kuvend lidhur me ndryshimet e ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kësisoj, në mbledhjen e fundit të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së është marrë një vendim i përbashkët që të iniciohet seanca parlamentare për të diskutuar rreth çështjes së ushtrisë së Kosovës mirëpo, sipas opozitarëve, ishin deputetët nga PDK dhe LDK të cilët ngurruan ta nënshkruajnë këtë nismë të rëndësishme për vendin.

Vetëvendosje: Koalicioni qeverisës me direktiva për “bllokimin” e FSK-së

Anëtari i këtij komisioni, nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi ka thënë për “Indeksonline” se inicimi për mbajtjen e kësaj seance u mirëprit edhe nga ministri i FSK-së, Haki Demolli si dhe gjenerali, Rrahman Rama.

“Ne jemi dakorduar bashkërisht që Komisioni Parlamentar të marrë iniciativë për një debat parlamentar. Ai mund të ishte iniciativë për draft-imin e projektligjit për plotësim-ndryshim për FSK-në. Në mbledhje të gjithë u dakorduam, askush nuk ishte kundër unë kam prit që nënshkrimet t’i hedhim në mbledhje por nuk ndodhi”, ka thënë ai.

Selimi thotë se deputetët e mazhorancën (PDK-LDK) nuk e kishin vënë nënshkrimin në letrën e cila do t’i adresohej kryesisë së Kuvendit. “Me këtë jam habit. Kjo i bie që partitë në pushtet i kanë dhënë direktiva të qarta që mos ta mbështesin këtë iniciative për FSK-në. Për mu ka qenë e pa-pritshme që mos me pranu të paktën të bisedohet për FSK-në”, është shprehur ai.

NISMA: Jemi befasuar me qëndrimin e pozitës

Nga ana tjetër, deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha thotë se partitë e pushtetit edhe kësaj radhe treguan “fytyrën e tyre” për një çështje me vlerë të madhe për Republikën e Kosovës. Sipas tij, ndryshimi i ligjit për FSK-në duhet të bëhet patjetër, pas bllokadës që tash e shumë vite po ia bëjnë serbët.

“Jam befasuar me thënë të drejtën ditën e premte kur nuk u nënshkrua. Ne në mbledhje kemi qenë shumë unik për me procedua një iniciativë e cila do t’i shërbente opinionit publik për unitetin tonë rreth misionit të FSK-së.

Në pamundësi që të bëhen ndryshimet kushtetuese, për-shkak të bllokadës të Listës Srpsk-a, atëherë faktikisht ka qenë unike në mes të deputetëve. Por, pse ka ndryshua në këto qëndrime, për mos me pas debat rreth kësaj çështje nuk e kam shumë të kartë”, ka potencuar ai.

Ndryshe, në mbledhjen e komisionit janë vënë më pak se dhjetë nënshkrime për inicimin e kësaj seance. Kësisoj, në bazë të rregullore të punës së Kuvendit kryesia është e obliguar që të përgjigjet në afat maksimal deri në 30 ditë për mbajtjen e seancën e këtij debati. Kurse, në rast tjetër nëse do të ishin 40 nënshkrime seanca do të mbahej në mënyrë urgjente.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme