Opozita zbarkon në Shkodër, bojkoton seancën e Kuvendit në Tiranë

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 14:21 | Nga

Partia Demokratike, LSI dhe aleatët nuk do të marrin pjesë në seancën e parë plenare për këtë sesion të ri parlamentar.

Mësohet se në takimin e zhvilluar në selinë blu, ku morën pjesë deputetët demokratë, kryetari Lulzim Basha si edhe aleatët e LSI-së dhe partitë e tjera të vogla është vendosur, që sot në orën 17:00, orar që përkon me nisjen e seancës në Kuvend, opozita të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm në Shkodër.

Ky takim, njofton PD, vjen si një mesazh qendrese kundër krimit me mbështetje qeveritare. Vendimi është marrë në sintoni të plotë me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se në orën 14:15, të gjithë deputetët e PD-së duhet të jenë në PS sepse në orën 14:30, do të nisen në Shkodër.

“Mbledhja në Shkodër si mesazh qendrese kundër krimit me mbështetje qeveritare. 3 muajt e fundit, kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë zhdukur 2 persona. Për krimet nuk ka ende asnjë autor, sepse banda e Bajrave ka lidhje me Edi Ramën. Çlirimi i qeverisjes nga krimi, prioritet absolut i opozitës në sesionin e ri parlamentar.”-mësohet të ketë qenë ky deklarimi i PD-së në përfundim të mbledhjes.

Vendimi i Partisë Demokratike vjen pas një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura në dy muajt e fundit në Shkodër. Opozita do të zhvendoset në Shkodër, 2 ditë pasi në këtë qytet është vrarë biznesmeni Arjan Ferracaku. Në dy muaj, në Shkodër ka 6 të vrarë dhe 2 të zhdukur, ngjarje këto ende pa autorë dhe të pazbardhura. Demokratët akuzojnë qeverinë si të lidhur me bandat e Shkodrës. Opozita pretendon se është qeveria që i mbështet këto banda. Mbetet për t’u parë cila do të jetë forma e organizimit të takimit të PD-së në Shkodër, pasi ende nuk dihet nëse takimi i PD-së, do të zhvillohet me degën lokale, apo me qytetarët e Shkodrës.

Të ngjashme