Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se vendi i tij ka përdorur veton ndaj buxhetit evropian për shkak të fondeve që ishin ndarë për sundimin e ligjit, duke i konsideruar planet buxhetore të BE-së si “shantazhuese” për vendet që kundërshtojnë migracionin, shkruan AFP.
Hungaria dhe Polonia bllokuan miratimin e buxhetit afatgjatë të BE-së dhe pakon e shpëtimit financiar kundër koronavirusit -që kapte vlerën prej 1.8 bilionë eurosh – dhe thelluan krizën brenda bllokut evropian.
“Në Bruksel sot, ata i shohin vendet që i lejojnë emigrantët si ato që qeverisen nga sundimi i ligjit”, ka deklaruar Orban.
“Kur ky propozim të aprovohet, nuk do të ketë asnjë pengesë që shtetet anëtare të ndajnë fonde për të mbështetur migracionin dhe për përdorim të mjeteve financiare për të shantazhuar vendet që e kundërshtojnë migracionin”, është shprehur ai.
Varshava dhe Budapesti kundërshtojnë lidhjen e buxhetit të BE-së me respektimin e ligjit, dhe emisarët e këtyre dy shteteve kanë përdorur veton – duke bllokuar në fakt edhe aprovimin e planeve për strategji të rimëkëmbjes ekonomike.
Liderët e Bashkimit Evropian janë munduar të zgjidhin telashe me buxhetin prej shtatë vjetësh të BE-së dhe me planin e lidhur të stimulimit në një maratonë katërditore në korrik. Prej atëherë janë zgjidhur shumica e dallimeve me Parlamentin Evropian lidhur me prioritetet e shpenzimeve dhe tashmë po pret pakoja e rimëkëmbjes që të aprovohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Por Hungaria dhe Polonia po vazhdojnë me vendosmëri të kundërshtojnë mënyrën se si do të ndahen fondet e ardhshme, duke e lidhur ndarjen e tyre edhe me sundimin e rendit dhe ligjit nga vendet anëtare brenda kornizës dhe politikave evropiane edhe për migrimin.
“Në debatet e lidhura me migracionin e viteve të fundit, sundimi i ligjit është kthyer në armë politike dhe ideologjike nga pikëpamje legale”, ka thënë Orban.
“Pa kritere objektive dhe mundësi të ndryshimit, asnjë procedurë nuk mund të aprovohet nëse synon të ndëshkojë vendet”.
Hungaria ka qenë shteti më i zëshëm kundër pranimit të emigrantëve në vitet e fundit në Bashkimin Evropian. Orbani, madje ka kërkuar që BE-ja të ketë parësore vlerat e krishtera, duke i akuzuar emigrantët nga shtetet e Lindjes së Mesme se synojnë përhapjen e islamit në Evropë.