Putini e akuzon ShBA-në se po përpiqet ta tërheqë Rusinë në luftë

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen që ta tërheqin vendin e tij në luftë në Ukrainë.

Ai tha se qëllimi i Amerikës është që të përdorë një përleshje si pretekst për t’i vendosur më shumë sanksione Rusisë. Putini gjithashtu tha se ShBA-ja po i injoron shqetësimet e Rusisë për forcat e NATO-s në Evropë, shkruan BBC.

Duke folur pas takimit me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, presidenti rus tha: “Mua më duket se Shtetet e Bashkuara nuk janë aq të shqetësuara për sigurinë e Ukrainës, por detyra kryesore e tyre është që ta frenojnë zhvillimin e Rusisë. Në këtë kuptim, vetë Ukraina është vetëm një mjet për ta arritur këtë qëllim.”

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e akuzojnë Rusinë se po planifikon pushtim të Ukrainës. Rusia disa herë e ka mohuar këtë akuzë.

Të martën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për parandalimin e një konflikti që nuk është në interesin e askujt.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi të martën se pushtimi rus “nuk do të ishte një luftë mes Ukrainës e Rusisë – do të ishte luftë në Evropë, luftë e nivelit të plotë”.

Të ngjashme