Orbani i bën thirrje Vuçiqit që t’i lirojë tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës

Prishtinë | 20 Qer 2023 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i ka bërë thirrje Serbisë dhe presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq,  që të lirojë tre policët e Kosovës të cilët autoritetet serbe i rrëmbyen më 16 qershor në brezin kufitar Kosovë-Serbi.

“Për tre policë të Kosovës, ju lutem i dashur Aleksandër, mendojeni, armiqtë mezi presin ta dëmtojnë Serbinë, është një rast i tillë në të cilin mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë dhe të ja ktheni ata tre shqiptarë Kosovës. Mendoj se kjo do të ju ndihmonte për të çuar përpara kauzën tuaj. Prandaj, po ju kërkoj të mendoni për këtë”, tha i pari i qeverisë hungareze.

Pos kësaj, Orban kritikoi atë që e quajti bashkësi ndërkombëtare për siç tha pranimin e rezultatit të zgjedhjeve për pushtet lokal në katër komuna të Kosovës (Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut) të mbajtura më 23 prill.

Sipas Orbanit, në ato votime morën pjesë vetëm 4 për qind e votueseve.

Këto deklarata ai i bëri pas një takimi mes liderëve të Serbisë dhe Hungarisë, të mbajtur në qytetin Paliq.

Të ngjashme