ORCA i kërkon ministrit Bytyqi t’i ofrojë mbështetje rektorit Dema

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e Admovere dhe ORCA-s, Shkëlzen Gashi dhe Rron Gjinovci sot e kanë takuar Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi lidhur me rastin a avancimeve të “supermenëve” të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të ngritura nga ORCA dhe rastet e plagjiaturave, të ngritura nga Admovere.

Gashi dhe Gjinovci i kanë kërkuar Ministrit Bytyqi që të ofrojë mbështetje institucionale për Rektorin e UP-së Prof. Dr. Marjan Dema dhe organet tjera të UP-së që mund të përfshihen në hetimin e rasteve të përmendura.

Ministri Bytyqi është zotuar se do të sigurojë mbështetje institucionale për të gjitha iniciativat për hetim me qëllim mbrojtjen e integritetit akademik nga ana e universiteteve publike, pa paragjykuar rezultatet e hetimeve.

Ditë më parë Gashi dhe Gjinovci i kanë dorëzuar Rektorit Dema nga një letër të veçantë ku i kanë kërkuar trajtimin e rasteve të plagjiaturave dhe të shkeljeve të integritetit akademik në avancime.

1. Letrat përmbajnë kërkesën që Rektori Dema t’i themelojë dy komisione me pjesëmarrje ndërkombëtare të veçanta për hetimin e të dy rasteve në mënyrë të veçantë.

2. Që gjetjet e raporteve të komisioneve t’i adresojë në Këshillin e Etikës.

3. Që në përputhje me kompetencat e veta t’i rekomandojë Senatit marrjen e masave për të gjitha rastet.

ORCA dhe Admovere do të vazhdojnë me takimin e të gjithë hisedarëve të çështjeve të ngritura dhe do të angazhohen për çuarjen deri në fund të të gjitha rasteve duke mos kursyer asnjë metodë demokratike e ligjore.

Të ngjashme