ORCA – Rektorëve: Më shumë autokritikë e punë, më pak akuza

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

ORCA shpreh shqetësimin e thellë lidhur me reagimin e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës e cila dje ka shpërndarë konstatime të pavërteta dhe të pabazuara për mosakreditimin e programeve të tyre nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

ORCA i monitoron për së afërmi mbledhjet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe kësisoj ka qenë prezente në mbledhjet që kanë zgjatur nga 6-8 orë secila (më 15 e 16 janar) ku janë shqyrtuar aplikimet dhe validimi vjetor i programeve ekzistuese.

ORCA si dëshmitare okulare e procesit arrin në konstatim se:
Konstatimet e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike, se KShC ka treguar papërgjegjësi ndaj dispozitave ligjore, papërgjegjësi profesionale dhe tendencë politike karshi programeve të ,tyre janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme.

Nga aplikimet e reja për akreditim programesh, KShC ka dhënë dritën e gjelbër për 104 programe, 53 të universiteteve publike dhe 51 të institucioneve private, ndërsa ka refuzuar 107 programe, 28 të universiteteve publike dhe 79 të institucioneve private.

Gjatë validimit të 185 programeve ekzistuese, u është vazhduar akreditimi 124 programeve të universiteteve publike dhe 61 programeve të institucioneve private, ndërkohë ka tërhequr akreditimin për 74 programe, 40 të universiteteve publike dhe 35 të institucioneve private.

Nga numrat e dhënë më sipër vërehet se shumica e programeve të akredituara për herë të parë dhe të validuara nga ato ekzistueset, janë nga universitetet publike, pra që tendenca e pretenduar e KShC ndaj universiteteve publike e shprehur nga Konferenca e Rektorëve është e pabazuar.

Për ORCA-n është shqetësuese gjendja e universiteteve publike dhe institucioneve private të cilat ende kanë problem me përmbushjen e kriterit më minimal, atë të 3 PhD të fushës për program si profesorë bartës të programeve.

Po ashtu  gjuha e përdorur në reagimin e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike është shqetësuese kur vjen te akuzat për politizim, sidomos kur kemi parasysh faktin se disa rektorë të kësaj Konference kanë probleme serioze me integritetin akademik dhe se mënyra e zgjedhjes së tyre është paraqitur në medie përgjatë viteve si influencë e pastër politike e partive të ndryshme në pushtet.

ORCA u bën thirrje rektorëve të universiteteve publike që të jenë të përgjegjshëm në planifikim të zhvillimit të institucioneve të tyre dhe të përdorin metodën e autokritikës në raste të tilla ashtu që të jenë më afër realitetit lidhur me mosakreditimin e programeve të institucioneve që udhëheqin.

ORCA rithekson se mbështet vendimet e deritashme të KShC të cilat i ka monitoruar për së afërmi dhe i kërkon KShC-së që të marrë parasysh gjatë shqyrtimit të akreditimeve edhe kriteret e tjera e jo vetëm atë të 3 PhD si bartës programi, ashtu që programet e dizajnuara për punësim e nepotizëm në universitete publike dhe për mashtrim të studentëve në institucione private të shuhen duke përmirësuar kështu kualitetin e arsimit të lartë në vendin tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme