Edhe pse mësimi filloi më një tetor, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ende nuk po mbahen komplet orët e parapara në orarin mësimor. Kjo po ndodh për shkak të vonesave që UP i ka krijuar gjatë procedurës së pranimit të stafit akademik. Prorektori i UP-së, Naser Sahiri thotë se gjatë javës së ardhshme pritet që mësimi të fillojë në të gjitha fakultetet dhe se orët e humbura do të kompensohen.
Në një bisedë telefonike Sahiti tha për Gazetën Express se kjo vonesë është shkaktuar për shkak se rregullorja e re e UP-së është miratuar me vonesë dhe më pas janë bërë edhe disa ndryshime në të.
“Ka pas disa vonesa sepse rregulloren kemi arrit pak me vonesë me miratu, pas disa ndërhyrjeve dhe nevojave me korigju edhe kjo natyrisht ka sjellë pak vonesa por për të gjitha këto ne do ta bëjmë një orar të kompensimit të orëve”, tha Sahiri për Express.
Por ai tha se të martën do të përfundojë ky proces dhe mësimi do të fillojë në të gjitha fakultetet.
“Pritet të martën e ardhshme të fillojë në të gjitha fakultetet”, përfundoi Sahiti.