Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur në një takim Alan Brown – përfaqësues i Konzorciumit “Dorsch International Consultants GmbH” dhe “Community Development Initiatives – CDI”, me të cilin ka biseduar për realizimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Orllan.
Përfaqësuesi i Konzorciumit DORSH/CDI, e cila është implementuese e donacioneve të qeverisë zvicerane, Alan Brown, e informoi Veliun për projektin ideor për ndërtimin e Impiantit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza në Orllan.
Veliu shprehu gatishmërinë që Komuna të ndihmojë në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për banorët e Orllanit.
“Komuna do të kryejë të gjitha procedurat për të siguruar lokacionin dhe hapësirën e nevojshme për impiantin, në mënyrë që në fillim të vitit 2017 të fillojë realizimi i këtij projekti”, tha Veliu.
Me këtë projekt është paraparë që krahas ndërtimit të Impiantit Konzorciumi DORSH/CDI të ndërtojë edhe rrjetin e kanalizimit në Orllan. Ky konzorcium do të hartojë projektin e ndërtimit të impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, për realizimin e të cilit ka planifikuar një buxhet prej 500-600 mijë euro.
Me realizimin e këtij projekti ujërat e zeza të fshatit Orllan do të pastrohen deri në masën 90-95 për qind.