Akademia e Arteve dhe Shkencave, organizuesja e çmimeve “Oscar” vendosi përjashtimin e tij nga bordi drejtues, ndërsa i vëllai e përshkroi Harvey Weinstein si “të sëmure nga trutë”.
“Nuk e kisha idenë se deri ku shkonin veprimet e tij”, pretendon Bob Weinstein. Në shpjegimin që Akademia i bëri vendimit të saj thuhet se, “epokës së injorancës kokëforte dhe bashkëpunimit të paturp në sjelljen e agresionit seksual apo ngacmimit në vendin e punës i ka ardhur fundi në këtë industri”.
Woody Allen, i akuzuar edhe vet për abuzim me vajzën e tij të adoptuar, shprehu keqardhje për manjatin e filmit dhe situatën në të cilën gjendet ai sot, duke pohuar për BBC-në se kishte dëgjuar thashetheme, por asgjë reale mbi ato që i përshkroi si “histori tmerri”.
Producenti ishte njeriu që arriti të ngrinte sërish në këmbë karrierën e lëkundur të Allenit, pas akuzave për ngacmimin e Dylan Farrow, vajza që adoptoi së bashku me ish-bashkëshorten, aktoren Mia Farrow.
Por ndonëse ka bashkëpunuar me Weinstein në shumë filma, regjisorit dhe aktorit të famshëm nuk i kishin rënë në vesh pretendimet për përdhunim apo agresion seksual. Dy femra të tjera kanë bërë përpara së fundi, me rrëfime tronditëse për njeriun, produksionet e të cilit kanë marrë më shumë se 300 nominime për “Oscar” dhe 81 e kanë fituar çmimin prestigjioz.
Aktorja britanike Lysette Anthony deklaroi se Weinstein e ka sulmuar në shtëpinë e saj, në fundin e viteve ’80, një episod që i ngjalli neveri dhe e la thellësisht të tronditur, ndërsa një grua që ka preferuar të ruajë anonimatin thotë se është përdhunuar nga producenti në vitin 1992, kur punonte në zyrat e kompanisë së tij të filmit në Londër.