Bujar Osmani ka reaguar ndaj kritikave të koalicionit VLEN, duke i cilësuar si të pabazuara interpretimet e tyre për takimet zyrtare të ministrave të Punëve të Jashtme.
Në një reagim publik, Osmani thekson se diplomacia nuk nënkupton pajtim me palën tjetër, por zhvillimin e dialogut për mbrojtjen e interesave shtetërore.
Osmani shton se, me të njëjtën logjikë, do të duhej të kritikohej edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për takimet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, apo liderë të tjerë botërorë për takimet me homologët e vendeve me të cilat kanë mosmarrëveshje.
“Sot duhet të jenë vërtet të dëshpëruar në VLEN, nëse kanë arritur deri aty sa takimet zyrtare të një Ministri të Punëve të Jashtme t’i paraqesin si përcaktime politike, ndërsa bashkëqeverisjen e përditshme me mohues të pavarësisë së Kosovës, mohues të gjenocidit në Srebrenicë dhe relativizues të Marrëveshjes së Ohrit ta paraqesin si normalitet.
Me këtë logjikë, do të duhej të akuzohej Albin Kurti pse takohet me Aleksandar Vuçiqin, Donald Trump pse takohet me Presidentin e Kinës, apo çdo ministër i Jashtëm në botë pse takohet me homologët e vendeve me të cilat ka mosmarrëveshje.
Diplomacia nuk është takim me ata me të cilët pajtohesh. Diplomacia ekziston pikërisht për t’u takuar me ata me të cilët nuk pajtohesh, për të mbrojtur interesat e shtetit tënd dhe për të avancuar pozicionet e tij.
Takimet diplomatike janë detyrim kushtetues. Bashkëqeverisja është zgjedhje politike. Këto janë dy gjëra që VLEN ose nuk arrin t’i dallojë, ose po shtiret se nuk i dallon.
Komunikata që publikojnë është komunikatë e Presidencës së Serbisë, e cila shpreh qëndrimet dhe prioritetet e saj, jo të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është praktikë normale në çdo marrëdhënie diplomatike.
Unë do të vazhdoja të takoja çdo homolog, edhe nëse nuk pajtohem me të, sepse kjo është detyra e një Ministri të Jashtëm. Por kurrë nuk do të zgjidhja të bashkëqeverisja me ata që mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë apo cenojnë të drejtat e shqiptarëve.
Ky është dallimi mes diplomacisë dhe nënshtrimit politik. Dhe pikërisht këtë dallim VLEN po përpiqet ta fshehë.