Osmani: Jam detyruar ta shpërndaj Kuvendin, përfaqësuesit e popullit vendosën me çu vendin në zgjedhje

Prishtinë | 06 Mar 2026 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dekretin për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë e detyruar ta bëjë, meqenëse, siç tha, përfaqësuesit e popullit e vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje, por ka theksuar edhe se do të përballet me këdo që do të vendosë ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

Osmani tha se mosnxjerrja e këtij dekreti do ta bënte atë që të shkelte Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për çka theksoi: “dhe këtë nuk e kam ndërmend ta bëj”.

Ajo i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që të trajtojë çdo çështje me urgjencë për të qartësuar çështjet që paraqiten në të ardhmen, ku thekson që të mos lejohet asnjë presion.

“Arsyeja pse jam detyruar të shpërndaj Kuvendin është sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të trajtojë çdo çështje që mund të paraqitet edhe në të ardhmen, me urgjencë duke ditur sesa të rëndësishme janë qartësitë kushtetuese, duke mos lejuar assesi që qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Kosovës, dhe në asnjë moment të mos lejojnë asnjë presion i cili do të mund të ndryshonte interpretimin e vetëm e vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si presidente e Kosovës asnjë moment as nuk kam ndërhyrë, as nuk do të ndërhyj dhe do ta mbroj çdo institucion të pavarur nga ndërhyrjet që mund të tentohen për të ndryshuar një vendim që interpreton Kushtetutën. Edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, në mbrojtje të këtij dekreti i cili është detyrim. Mosnxjerrja e këtij dekreti mua do të më vendoste në shkelje të qartë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe këtë nuk e kam ndërmend ta bëj”, tha ajo.

Osmani tha se pyetja e vetme nuk është se a ka zgjedhje, por kush është data e zgjedhjeve.

“Në mesnatë është mbyllur përfundimisht çdo mundësi kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo nuk është çështje interpretimi, është çështje afatesh kushtetuese, dhe këto afate tashmë kanë kaluar. Kjo do të thotë se edhe nëse procesi do të vazhdonte tutje, edhe nëse do të pritej, rezultati kushtetues nuk do të ndryshonte. Ne tashmë kemi hyrë në një territor shumë të qartë juridik. Prandaj pyetja që duhet bërë nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato. Pra, pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve. Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë që të dëgjohet qartë zëri i tyre. Ata kanë nevojë po ashtu për qartësi. Kanë nevojë për institucione që funksionojnë e jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia”, tha ajo.

LEXO EDHE”

Të ngjashme