Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përkrahjen e Turqisë për anëtarësim në organizata të ndryshme, përfshirë në NATO.
Osmani ka kërkuar këtë përkrahje sot gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop.
Osmani në këtë vizitë ishte së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, komandantin e FSK-së Bashkim Jashari dhe kryetarin e grupit të Miqësisë të Kuvendit të Kosovës për Kosovë-Turqi, Enis Kervan.
“Përshpejtimi i anëtarësimit tonë në NATO është i nevojshëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor’’, është shprehur presidentja Osmani, duke potencuar se edhe diplomacia parlamentare mund të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në organizata, si NATO dhe Këshill të Evropës.
Në Kosovë ka ditë që ka nisur një fushatë më e gjerë për anëtarësim të Kosovës në NATO.
Osmani ka ditë që po qëndron për vizitë në Turqi dhe ka zhvilluar disa takime. Ndër të tjera, ishte për vizitë edhe në fabrikën Baykar që prodhon dronët e famshëm luftarak “Bayraktar TB2”.