Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 26-vjetorin e natës së tmerrit mes 3 dhe 4 shkurtit që ndodhi në Mitrovicë e ku tha se kjo mbete një nga plagët më të rënda të pasluftës.
Osmani teksa kujton vrasjen e 10 civilëve të pafajshëm nga bandat kriminale dhe plagosjen e 25 të tjerëve, thekson se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit.
“Në përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtojmë me dhimbje dhe respekt të thellë një nga plagët më të rënda të pasluftës. Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 564 familje me gjithsej 11 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”, thuhet në shkrimin e presidencës.
Mbi gjithë këtë torturë, Osmani thotë se Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye ndaj krimit që nuk do të harrohet kurrë, dhe se drejtësia do të mbetet kërkesa e pandalshme.
“Ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti. Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, ka theksuar ajo.