Osmani: LDK do ta mbrojë gjithmonë aleancën me Shtetet e Bashkuara

Prishtinë | 05 Qer 2026 | 21:18 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur edhe për rëndësinë e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë fjalimit të saj në tubimin përmbyllës në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Osmani tha se pavarësisht përpjekjeve për ta zbehur këtë marrëdhënie, faktet historike tregojnë se SHBA-ja ka qenë gjithmonë pranë Kosovës në momentet më vendimtare.

“E përkundër kësaj ende ka përpjekje të turpshme për ta relativizuar rëndësinë e kësaj aleance. Por historia dhe faktet flasin ndryshe. Kur Kosova kishte më së shumti nevojë, Amerika ishte aty. Kur Kosova u çlirua, u pavarësua dhe u ndërtua, Amerika ishte aty dhe tani që Kosova po synon sigurinë dhe zhvillimin afatgjatë, Amerika është përsëri këtu”, tha ajo.

Sipas saj, SHBA-ja ka qenë e pranishme në të gjitha fazat kryesore të shtetndërtimit të Kosovës.

“Amerika është në çdo kapitull të shtetndërtimit tonë modern, në çlirimin e Kosovës, në deklaratën e pavarësisë, në kushtetutën tonë, në kapitullin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në njohjet tona, në institucionet tona, në reformat tona, në ushtrinë tonë, në policinë tonë”, u shpreh Osmani.

Ajo tha se bashkëpunimi me SHBA-në po vazhdon edhe në fusha strategjike si energjia dhe siguria.

“Sot garancia e lidhjes së Kosovës me gazin amerikan është një – Lidhja Demokratike e Kosovës. Sepse kur duhet të zgjedhim mes sigurisë energjetike që na jep Amerika dhe varësisë nga armiqtë e Kosovës, për ne nuk ka dilemë: ne zgjedhim Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

Osmani theksoi se mbështetja amerikane vazhdon edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“A e dini kush po na ndihmon në fuqizimin e FSK-së? Prapë Amerika. A e dini kush po jep garanci për paprekshmërinë e kufijve të Republikës sonë? Prapë presidenti amerikan, kongresi amerikan, shteti amerikan”, deklaroi ajo.

Sipas saj, LDK-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj kësaj aleance që ajo e cilësoi jetike dhe historike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbetet përherë në mbrojtje të kësaj aleance, si një vijë e qartë historike, si përgjegjësi politike dhe si një betim moral që na la presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova”, tha Osmani.

Ajo shtoi se Kosova nuk mund të lejojë alternativa që cenojnë sigurinë e saj.

“Një popull që nuk u la vetëm në momentin më të errët të historisë, nuk mund të zgjedhë sot diçka më pak sesa sigurinë e plotë të së ardhmes së tij. Një aleancë ekzistenciale, e pathyeshme dhe e përhershme me aleatin tonë të lirisë”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Ne e duam Kosovën gjithmonë pranë aleatëve, gjithmonë drejt NATO-s, gjithmonë drejt Bashkimit Evropian, sepse aty e kemi vendin dhe aty e kemi të ardhmen të garantuar”, shtoi ajo.

Të ngjashme