Osmani: Moratoriumi, njëri prej gabimeve më të mëdha të ndonjë lideri kosovar në lidhje me Serbinë

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që pranimi i ish-kryeministrit Avdullah Hoti që Kosova të mos lobojë për një periudhë për njohje dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është njëri prej gabimeve më të mëdha që e ka bërë ndonjë lider kosovar në raport me Serbinë, njofton Klan Kosova.

Këto fjalë ajo i tha gjatë një diskutimi rreth të ardhmes së Kosovës në kuadër të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare John Hopkins.

“Gjëja e dytë me të cilën kemi problem në Marrëveshjen e Uashingtonit por e cila tashmë ka skaduar dhe nuk përbën më problem ishte i ashtuquajturi Moratorium në Politikën e Jashtme të Kosovës sepse në thelb kërkonte që Kosova të mos lobonte për njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe ajo ka skaduar më 4 shtator”.

Ndonëse Osmani thotë se ata i kanë zbatuar shumicën e pikave të tjera të marrëveshjes së 4 shtatorit, kjo pikë ishte shumë problematike për Kosovën.

“Ai ishte njëri prej gabimeve më të mëdha që ka bërë ndonjëherë ndonjë kryeministër apo lider kosovar në ndonjë proces që lidhet me Serbinë, duke e barazuar disi përpjekjen dhe luftën për të marrë më shumë njohje si shtet deklarata e pavarësisë e së cilit është në pajtim të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta barazosh atë që e ke bërë dhe që e ke arritur dhe që ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar me atë që Serbia po e bënte ilegalisht duke përdorur mënyra ilegale në procesin e tërheqjes së njohjeve ishte njëri prej gabimeve të mëdha sepse e bënte disi politikën kosovare sikur varej nga ajo që thotë Serbia”.

Të ngjashme