Gjatë një tubimi në Deçan, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se me programin e saj qeverisës do ta kthejë shpresën tek të rinjtë për të qëndruar në atdheun e tyre.
“Kam ardhur për ta konfirmuar çlirimin e Kosovës nga qeverisja që ia ka zënë shtetit frymën. Nga qeverisja që e ka ngulfatur vendin, duke ia lënë rinisë vetëm një shteg, shtegun e ikjes nga Kosova. Më 6 tetor, nga besa që e morën në vendin e Lidhjes në Prizren, por të cilën po e shoh edhe këtu në Deçan, do të vijnë ditë të mira për rininë, për të qëndruar krenarë në vendin e tyre”, ka thënë Osmani.
Ajo pohoi se besimi në LDK-në është besimi në rikthimin e shpresës së humbur nga rinia jonë e mrekullueshme. “Duke e marrë këtë besim për LDK-në ju do ta siguroni një të ardhme për fëmijët tuaj. Vetëm fitorja e thellë e LDK-së e çon PDK-në dhe të korruptuarit në opozitë. Vetëm fitorja e LDK-së Kosovës ia hap dyert e miqve shpëtimtarë”, pohoi Osmani.
Ajo tha se jam e nderuar që sot jam në Deçanin piktoresk të Sali Çekaj, të heroit tonë, i cili i vuri themelet e kushtetutshmërisë së Kosovës në Deçan dhe çdokund tjetër dhe me bashkëluftëtarët e tij, me Agim Ramadanin, me Anton Qunin, Ibish Mazrekun dhe të tjerë që i kemi sot këtu, zhvilluan Betejën e lavdishme të Koshares.
“Nder i veçantë që gjendem në qytetin e Tahir Zemajt, i cili udhëhoqi betejën e Loxhës, njeri simbol i këtij qyteti, familja e të cilit dha gjithçka për këtë vend. Daçani kishte trima gjatë luftës dhe ata që e luftuan krimin pas luftës. Sepse Deçani nuk e përjetoi vetëm tmerrin e luftës dhe dëshmi për këtë i kemi njerëzit e shumtë që LDK-ja i ka humbur, si pasojë e frikacakëve, të cilët na qëllonin pas shpine. Respekt për familjen Zemaj dhe respekt për gjithë luftëtarët e krimit të pasluftës, sidomos për Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn dhe njerëzit e tjerë të cilët kundërshtuan logjikën e krimit të cilën disa njerëz tentonin ta instalonin në vendin tonë”, tha Osmani.
Në tubimin në Deçan, Osmani kishte disa mesazhe edhe për kundërkandidatin e tij që vjen nga ky qytet. “Dua t’i dëshmojë edhe kundërkandidatit tim që vjen nga Deçani, i cili për dy vjet e mbyti shpresën e daçanasve dhe të gjithë Kosovës. Dua t’i them nga këtu se përkundër keqqeverisjes nga ai dhe partnerët e tij, ky vend nuk thyhet dhe nuk përkulet. Duke hartuar lista me veteranë të rrejshëm, më së shumti i dëmtuan luftëtarët e vërtetë. Me këto lista të rrejshme nuk mund të blihet vullneti i qytetarëve të Kosovës”, tha osmani.
Në fund të tubimit, nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, ka cituar një letër të patriotit Jusuf Gërvalla që ia kishte dërguar nënës Ajshe, në të cilën thoshte se ”rruga e nderës është më e zorshme, por është e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun”.
“Zotohen dhe betohem para jush, qytetarë të nderuar se rruga e nderës është ajo e vetmja që do ta ndjek”, tha në fund Osmani.