Kandidatja për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur tubim zgjedhor në Prizren, ku ka folur për bashkëjetesën ndër-etnike, rolin e Presidencës dhe nevojën për vazhdimësi të punës institucionale në vend, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka vlerësuar Prizrenin si shembull të harmonisë ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Por Prizreni dëshmon edhe diçka tjetër. Shembulli më i bukur i bashkëjetesës dhe i harmonisë në Kosovë është qyteti ku shqiptarë, turq, boshnjakë e komunitete të tjera kanë ndërtuar së bashku jetën, kulturën dhe identitetin e këtij qyteti të jashtëzakonshëm. Prandaj, ne do të vazhdojmë të punojmë për një Kosovë ku secili qytetar ndihet i respektuar, i përfaqësuar dhe i barabartë. Sepse forca e shtetit tonë qëndron në aftësinë për t’i kthyer ndryshimet dhe dallimet në vlera të përbashkëta të shtetit që e duam të gjithë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar dhe se qytetarët kanë përgjegjësinë kryesore për drejtimin e ardhshëm të vendit.
“Të dashur qytetarë të Prizrenit, Kosova sot ndodhet në një moment vendimtar dhe tani gjithçka, gjithçka është në duart tuaja. Prandaj jemi para jush me besim të plotë e ballëhapur, sepse ju kemi shërbyer juve dhe Kosovës si Presidente për pesë vite. Dhe për dallim nga të tjerët që kanë thjesht fjalë boshe dhe premtime të përsëritura për të prezantuar para jush, ne i kemi sjellë Presidencës së Republikës sonë rezultate konkrete”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka thënë se gjatë mandatit të saj shumë çështje të Kosovës janë shndërruar në kauza ndërkombëtare.
“Shumë tema të Kosovës i kemi shndërruar në kauza ndërkombëtare, duke u siguruar që nuk ka cep të botës ku nuk dihet e vërteta e Kosovës. Prandaj, Kosova ka nevojë për vazhdimësi të punëve të mira në krye të shtetit”, ka shtuar ajo.
Duke folur për rolin e Presidencës, ajo ka theksuar se ky institucion duhet të mbetet i fuqishëm dhe garantues i stabilitetit shtetëror.
“Ne po shkojmë në zgjedhje sepse dikush nuk u pajtua se Kosovës i duhet një Presidencë e fortë që ecën në rrugën rugoviste dhe ruan aleancat tona të shenjta. Por ju e dini shumë mirë që Presidenca nuk bën të shndërrohet në një OJQ, e në një hiç, e aq më pak në një institucion që nuk ka as qëndrim e as mendim. Përkundrazi, Presidenca është mburojë e shtetit; të tillë e kemi mbajtur dhe të tillë do ta mbajmë sërish me ndihmën tuaj. Dhe edhe kur ka ide që rrezikojnë shtyllat demokratike, Presidenca duhet ta mbrojë Kosovën me çdo kusht”, ka thënë Osmani.

