Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka përsëritur që taksa për produktet serbe dhe boshnjake duhet të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.
Ajo thekson se ky është vendim i koalicionit qeverisës VV-LDK dhe se është i përfshirë në programin e bashkë-qeverisjes.
Sa i përhet kohës së vendosjes së reciprocitetit, Osmani tha se para marrjes së vendimin do të kryhen studimet e nevojshme.
“Një sqarim rreth temës së reciprocitetit, edhe pse tash e sa muaj, përfshirë sot, kam qenë më se e qartë: Nuk kam asnjë dilemë që tarifa duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Të tri deklaratat e mia para mediave sot, të përcjellura në tërësi, e tregojnë këtë. Këtë e kemi vendim të përbashkët të koalicionit tonë qeverisës i cili është përfshirë në programin e bashkë-qeverisjes. Në pyetjen se kur duhet të bëhet ky zëvendësim, përgjigja ime ishte që kjo (pra koha e saktë e zëvendësimit) kërkon studim, meqë involvon shumë akterë e institucione të tjera” ka shkruar Osmani.