U.d së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar shfuqizim të dekreteve për disa emërime në stafin diplomatik, duke përfshirë edhe të fundit në Pragë.
Osmani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se emërimi i djalit të Haxhi Shalës, Konsull i Përgjithshëm në Pragë, është bërë nga ish-Presidenti Thaçi dhe jo nga ajo.
Postimi i plotë:
Emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës.
Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë.
Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm.
Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen.