Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në aktivitetin e shënimit të 31-vjetorit të grevës së Stantërgut.
Grevën e minatorëve, zonja Osmani e ka cilësuar rezistencë të dyfishtë.
“Në kontekstin historik, greva e minatorëve të Trepçës mund të trajtohet në dy rrafshe, si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe, së dyti, si rezistencë ndaj suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, greva shërbeu për sensibilizim qytetar dhe me angazhimin e tyre vetëmohues, minatorët i lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme.
“Marshi i organizuar nga minatorët nga Mitrovica në Prishtinë, ishte dëshmi e qartë se si minatorët arritën ta krijonin solidaritetin dhe aktivizmin qytetar në Kosovë”, ka theksuar Osmani.
Kryetarja e Kuvendit ka thënë se minatorët e Trepçës e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe.
“Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Trepça është e paprekshme”, ka thënë Osmani.
Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se ky aset strategjik i Kosovës, përballet me sfidën e zhvillimit, ndaj ka premtuar angazhimin institucional për përmirësimin e kushteve të punës për minatorët.
Kryeministri Albin Kurti tha se Trepça është interes strategjik i shtetit të Kosovës. Ai premtoi para minatorëve që kjo kompani nuk do të privatizohet si dhe kërkesat e minatorëve do të merren parasysh.
“Trepça është thesar publik që duam ta rivitalizojmë. Ka treg për Trepçën, duhet të ketë edhe prodhimtari. Sot këtu nuk ka punë dhe qyteti është i ndarë, bisedat e deritanishme nuk e bashkuan askënd, pasi ishin për pazare”.
“Bisedime do të ketë por për investime, unë kërkova një plan mini-marshall jo për të humbur kohë, por për të përfituar kohë. Serbët në Kosovë si shqiptarët duan punë dhe mirëqenë prandaj Trepça duhet të fillojë punë”.
“Trepça është aset strategjik i Kosovës, Trepça nuk do të privatizohet dhe në Trepçë do të investojmë. Minatorët Qeveria populli do t’i ketë gjithmonë në zemër”.
Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri tha se tani me kryeministrin Kurti ka ardhur koha që t’i thuhet jo korrupsionit, e padrejtësive dhe të ketë zhvillim ekonomik.
“… me kryeministrin Kurti ka ardhur koha t’i themi jo korrupsionit, padrejtësisë, ka ardhur koha t’i themi po zhvillimit ekonomik dhe po luftimit të korrupsionit” .
Basri Ibrahimi, drejtor i Trepçës tha se kanë shumë sfida, duke shtuar se pret që t’i mbulojnë shpenzimet.
“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin, Ne menaxherët para minatorëve jemi të vegjël para punës se minatorëve, Trepça ka një histori që është me shekuj. Historia e Trepçës u shkruar edhe me sakrifica”.
“Besojmë që Trepça do të arrijë t’i mbuloj pagat dhe shpenzimet e veta dhe shpresojmë që do të mbulojmë shpenzimet e tona. Me ndihmën e juaj zoti kryeministër ne mënyrë që t’i kthehet dinjiteti Trepçës” .
Gani Osmani , kryetar i sindikatës së minatorëve, tha se pret nga Qeveria që të marrë për bazë kërkesat e tyre.
“Falë kontributit të këtyre njerëzve Kosova është e pavarur, kërkesat e minatorëve janë të njohura për institucionet”.