Osmani për Xhemajl Mustafën: Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi

Prishtinë | 23 Nën 2020 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka kujtuar anëtarin e LDK-së, Xhemajl Mustafën, duke thënë se me vrasjen e tij, Kosova e humbi një intelektual të jashtëzakonshëm, i cili e artikuloi politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi

Osmani ka shkruar në Facebook, Mustafa ishte njëri ndër personalitetet më të rëndësishme të lëvizjes politike të viteve ’90 për liri dhe pavarësi, bashkëpunëtor i afërt i presidentit Rugova, njeri i urtë e dijetar i shquar i Kosovës.

“Xhema qe i veçantë, siç qe e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë dhe në jetë. Ai qe guximtar i vendosur, vizionar dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, por i butë në sjellje, ashtu siç qe edhe Presidenti Rugova. Ai u vra pabesisht, këtu e njëzet vjet më parë, për shkak të veprimtarisë së tij politike e atdhetare. Me vrasjen e tij, Kosova e humbi një intelektual të jashtëzakonshëm, i cili e artikuloi politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe i vuri themelet e informimit të opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës. Ne do ta kujtojmë përjetësisht veprën madhore të Xhemës në shërbim të vendit e të popullit të tij dhe nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për të”, ka shkruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme