Osmani, rekrutëve të rinj të FSK-së: Sikurse UÇK-ja, ju bartni mbi supet idenë e mbrojtjes së lirisë

Ferizaj | 20 Maj 2022 | 12:37 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e vendit, njëherit Komandantja Supreme e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të rinj të FSK-së, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e saj, Osmani tha se ndjehet krenare që Ushtria e Kosovës po i shton radhët me vajza e djem të rinj, të cilët sipas saj, atdhedashurinë po e transformojnë edhe në profesionalizëm.

Ajo tha se rekrutët e rinj po e jetësojnë çdo ditë e më tepër ëndrrën e brezave të tërë, që përpos shtetit donin ta kenë edhe ushtrinë e cila do të jetë në funksion të mbrojtjes së vendit e në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial të çdo cepi të Kosovës.

Osmani aty tha se këta rekrutë dhe e gjithë FSK-ja, bartë në vete idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

Sipas saj, FSK ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta, andaj ajo tha se inkurajon gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

“Sikurse dikur, djemtë e vajzat e UCK-së që bartën mbi supe idealet e lirisë sonë, sot ju mbi supet tuaja mbani idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Sot FSK-së po i shtohen edhe 257 rekrutë të certifikuar, vajza e djem me të cilët Forca jonë po e rrit numrin e saj në mbi 3 mijë. FSK-ja ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta andaj inkurajojë vajzat e gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë sonë edhe më tutje”, tha Osmani.

“Unë kam besim në profesionalizmin e ushtarëve tanë dhe jam e sigurt se këta rekrutë janë të gatshëm që kurdo Republikës sonë t’i bëhen mbrojtës”, tha tutje ajo.

Në këtë kontekst, Osmani përmendi edhe agresionin rus në Ukrainë.

“Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon gjithmonë se do të gjinden forca që duan ta shkatërrojnë paqen dhe ta cenojnë të drejtën e kombeve për të jetuar të lirë. Ne, e kemi provuar të njëjtën gjë më parë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë që ushtrinë tonë ta përgatisim sa më mirë, ta rrisim sa më shumë, në mënyrë që ajo të jetë e gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por edhe një partnere e besueshme e aleatëve tanë në NATO, aleancë në të cilën synojmë ta anëtarësojmë Kosovën”, është shprehur Osmani.

E ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se nga sot, Kosovës i shtohen edhe 257 gardianë të lirisë, paqes e sovranitetit të vendit, teksa tha se përgjegjësia në rekrutët e rinj do të shtohet edhe më shumë.

Tutje, Mehaj iu drejtua rekrutëve të rinj se në jetën ushtarake ata mund të kenë eprorë e komandantë të ndryshëm, por vetëm një është i përjetshëm, komandanti legjendar Adem Jashari.

“Kur shikojmë nga kemi ardhur, e shohim UÇK-në e kur shikojmë se ku duam të arrijmë e shohim NATO-n. Por, edhe këtu ku jemi sot e edhe atje ku duam të arrijmë nesër nuk do të ishte e mundur pa UÇK-në. Të dashur ushtarë, gjatë jetës suaj ushtarake do të keni eprorë e komandantë të ndryshëm, por vetëm një është i përhershëm e i përjetshëm, ai është komandanti legjendar Adem Jashari”, është shprehur Mehaj.

Në fund, Mehaj tha se sa herë që Kosovës i kanosen rreziqe, e rrugët bëhen të mundimshme e sa herë që lypet sakrificë, forcë e trimëri, atë mund ta gjeni në familjet e dëshmorëve.

Të ngjashme