Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
Me këtë rast, Ambasadori Kosnett e uroi dhe njëherë Presidenten Osmani për marrjen e detyrës, duke theksuar që ashtu siç Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-të, e njëjta vlejnë dhe për SHBA-të dhe angazhimin e tyre karshi vendit tonë.
Ndërkaq, presidentja Osmani ka thënë se në përputhje me kompetencat kushtetuese, politika e jashtme, siguria, e forcimi tutje i shtetësisë do të jenë pa mëdyshje në fokus të parë.
Osmani ka thënë se do të angazhohet për të ndihmuar në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët e Kosovës. Ndërlidhur me çështjen e pandemisë, të dyja palët theksuan nevojën për respektim të plotë të masave të prezantuara të qeverisë, si mënyra më e sigurt dhe e duhur për të shpëtuar jetë.
Në takim, Presidentja Osmani po ashtu e siguroi Ambasadorin Kosnett që do të angazhohet në plotni që të krijojë një platform të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jap konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.