Osmani takohet me kryeparlamentarin e Maqedonisë

Prishtinë | 26 Pri 2023 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës zyrtare në Maqedoni të Veriut është pritur në takim nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi.

Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për votën e saj në favor të Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e njëjtë edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Më tej në takim me Kryeparlamentarin Xhaferi, Presidentja Osmani foli për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke përfshirë dinamizimin e takimeve dhe ndërveprimeve të komisioneve parlamentare respektive. Në këtë drejtim u vlerësua roli dhe kontributi i grupeve të miqësisë në parlamentet e të dyja shteteve, duke inkurajuar qasje gjithnjë e më proaktive.

Më tej, Presidentja Osmani ka përmendur kontributin e shqiptarëve për shtetformim dhe shtendërtim të Maqedonisë së Veriut dhe ka thënë se ata janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve. Ajo tha se ata dëshmojnë më së miri se si respektimi i të drejtave të njeriut rezulton me integrim të suksesshëm të komuniteteve të ndryshme në një shoqëri.

Të ngjashme