Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin, në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidentja Osmani përmes një postimi, ku ka theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve.
“Takimet në Samitin Botëror të Qeverisjes i vazhduam me Presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin, një mik i madh i popullit të Kosovës,” ka shkruar Osmani.
Ajo ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për hapa konkretë drejt thellimit të bashkëpunimit bilateral, duke vënë theks të veçantë në rolin e mërgatës kosovare në Zvicër.
“Pas Davosit, vazhduam diskutimin për hapa konkret drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, me mërgatën tonë si urë kyçe e këtij partneriteti,” ka theksuar Presidentja.
Në fund, Osmani ka ritheksuar mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme zvicerane.
“Kosova mbetet thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Zvicrës ndër vite,” ka shtuar ajo.
