Me ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik, duke ofruar preferenca gjatë procesit të tenderimit, kompanive prodhuese dhe vendore do t’ju mundësohet qasja në të dhe t’i fitojnë ato.
Kështu thotë sekretari i përgjithshëm i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Vllaznim Osmani në një intervistë për Telegrafin.
“Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka filluar iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik, ku duke e marr parasysh që qeverisja qendrore dhe ajo lokale në buxhetin e tyre, një pjesë të konsiderueshme e harxhojnë gjatë pjesës së prokurimit publik. Për momentin, kompanitë tona, qofshin prodhuese apo shërbyese, qasja në tenderë publik apo mundësia për t’i fituar këta tenderë është mjaftë e vogël. Për ne është shumë e rëndësishme që këto kompani të kenë mundësi më të mëdha, pra të qasen në pjesën e tenderimit, por në fund t’i fitojnë ato”, thotë Osmani.
Ai thotë se në emër të zhvillimit ekonomik, shumë shtete u japin preferenca kompanive vendore në procesin e tenderimit.
“Mos të harrojmë se shumë shtete, gjatë pjesës së tenderimit, iu japin preferenca kompanive vendore në emër të zhvillimit ekonomik, qoftë në nivel të përgjithshëm apo për zhvillim lokal, por edhe në emër të mbrojtjes së ambientit. Një diçka të tillë po e kërkojmë edhe ne. Kjo bëhet duke ndryshuar nenet e caktuara. Për shembull, kur një kompani vendore konkurron në tender publik , për produktin e kualitetit të njëjtë, me çmim të njëjtë, atëherë t’i jepet përparësi që ta fitoj tenderin. Kjo ka domethënie të madhe, si në aspektin e zhvillimit të kompanisë, si në aspektin e zhvillimit të qëndrueshme ekonomik lokal, qoftë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin shoqëror”, thotë ai.
Osmani shton se në periudhën në të cilën gjenden kompanitë vendore, masat jokonvencipnale janë të nevojshme.
Ai tregon se tashmë këto masa janë ndërmarr në shume shtete të ndryshme për t’i ndihmuar bizneset vendore.
“Ne po kërkojmë ndryshimin e Ligjit, ku duhet të parashihen preferenca në çmim për kompanitë vendore, atyre prodhuese dhe shërbyese. Këto preferenca i kanë pasur shtetet e tjera, të cilat gjatët fazës për anëtarësim në Bashkim Evropian, kanë filluar t’i zvogëlojnë nga viti në vit. Ne nuk kemi pasur preferenca të tilla, por kurrë nuk është vonë. Andaj, në fazën në të cilën jemi, masat jokonvencionale janë mese të nevojshme. Masat e tilla tashmë janë ndërmarr nga shtetet e ndryshme, siç janë Bosnja e Hercegovina, apo dhe Republika e Çekisë e cila është në proces të marrjes së masave preferenciale, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin masa të tilla të cilat faktikisht i jepen përparësi kompanive vendore. E gjithë kjo është në emër të zhvillimit, qëndrueshmërisë ekonomike dhe ruajtjes së ambientit. Është shumë e rëndësishme, sidomos tani, sa më shumë të mira materiale të mbesin në Kosovë”, përfundon ai.