Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e gatshme ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë që buron nga plani franko-gjerman por që këtë gatishmëri nuk e ka Serbia. Për këtë, ajo kërkon që presioni te jetë në anën e shtetit serb, raporton Ekonomia Online.
“Kosova ka ofruar që të nënshkruaj marrëveshjen e planit franko-gjerman në mënyrë që pala serbe të mos i ik atij dakordimi. Adresa e presionit duhet që të jetë Beogradi. Kosova vazhdimisht ka kërkuar që zbatimi të jetë i plotë. Pa zbatim të plotë të marrëveshjes, nuk ka dialog të suksesshëm. Në qoftë se injorohet fakti që Serbia mohon zbatimin e marrëveshjes unë nuk pres dialog të suksesshëm, sepse nuk jemi në tavolinë ku palët nuk janë të barabarta”, tha Osmani.
Duke folur për sulmin terrorist në Banjskë, Osmani druan se mund të përsëritet.
“Influenca ruse shihet në tri pika: E para ka të bëjë me propagandën, e dyta ka të bëjë më armët e cila ja shet Serbisë e që shfrytëzohen për sulme në Kosovë dhe e treta ka të bëjë me mbështetje politike që Rusia ia jep Serbisë. Shqetësimet ekzistojnë se mund të përsëriten sulme të tilla. Nëse përsëri e provojnë, kanë dështuar më 24 shtator do të dështojnë sërish. Këto janë informata që institucionet i ndajnë edhe me mua edhe me kryeministrin. Serbia, për fat të keq, jo që nuk e ka ekstraduar udhëheqësin e atij sulmi terrorist, nga aspekti praktik, se nga ai politik udhëheqës i këtij sulmi ka qenë Vuçiqi. Në vend se ta ekstradojë Rajdoqiçin, po vazhdon t’ia ofrojë të gjithë infrastrukturën e mundshme që ai të planifikojë sulme të reja ndaj Kosovës”, tha tutje ajo.