Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani u është drejtuar për herë të parë ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me rastin e Ditës së Forcës, raporton Ekonomia Online.
Osmani prezantimin e saj e bëri përmes një video-mesazhi, për shkak se vazhdon izolimin pas infektimit me Coronavirus.
Me këtë rast Osmani ka thënë se ushtria e Kosovës është ndërtuar në themelet e sakrificës sublime, duke shtuar se ajo është e gatshme t’i dalë në çdo kohë në mbrojtje atdheut.
“Ushtria e Kosovës është ndërtuar në themelet e sakrificës sublime. Është e zonja t’i dal zot atdheut në çdo kohë. Sot ushtria e Kosovës është simbol i shërbimit. Qëllimi kryesor i jonë gjithmonë ka qenë mbrojtja e atdheut tonë”.
Ajo më tej ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim strategjik, raporton EO.
“Të stërvitur me standardet më të larta të NATO-s. Oficerët dhe nënoficerët po shkollohen jashtë vendit. Në këtë ditë të veçantë nuk të mund të mos shprehim falënderim për aleatët tanë”.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim strategjik. Kosova ka mjete të mjaftueshme që të siguroj transformimin e FSK-së. Ju garantoj se mbështetjen time do ta keni përherë. Urime dita e forcës”.
Me fjalime të pranishmëve iu janë drejtuar edhe kryeministri Avdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.