Mesut Ozil ka këshilluar Barcelonën që të mos ankohet shumë tek gjyqtarët, pasi sipas tij, kjo nuk i ndihmon asgjë.
Xavi kishte kritika për ndarjen e drejtësisë edhe pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, pas humbjes ndaj Paris Saint-Germainit, transmeton Gazeta Express.
Ozil foli për Barcelonën së fundi gjatë një interviste për “Marca”, por edhe për ish-klubin e tij, Real Madridin.
“Barcelona ka lojtarë të mirë në çdo pozicion, por ata kanë pasur shumë lëndime këtë sezon. Ndoshta duhet t’i kushtojnë pak më shumë vëmendje vetes dhe gabimeve të tyre dhe jo gjithmonë të ankohen për gjyqtarët. Nuk ndihmon. Real Madridi po kalon një sezon fantastik. Nuk e prisja pasi Karim (Benzema) u largua nga klubi, por ata po bëjnë shumë mirë”, tha ish-reprezentuesi i Gjermanisë.
Ozil bëri gjithashtu një krahasim të “El Clasicos” nga koha kur ai ishte te “Los Blancos”, me “El Clasicot” e viteve të fundit.
“Në atë kohë ishte ndeshja më e rëndësishme në botën e futbollit. Fatkeqësisht për ne, Barça ishte ndoshta Barça më e mirë në histori. Barça e Pep ishte në një nivel tjetër, sigurisht ndryshe nga Barça aktuale. Mendoj se për momentin vëmendja mbarëbotërore është përqendruar më shumë në ndeshje si Liverpool-Manchester City apo duele të tjera në Premierligë. Këtu mendoj se El Classico ka rënë dhe është turp”, tha ish-mesfushori i njohur.
“Por, ky nuk është faji i Real Madridit, pasi është padyshim një nga skuadrat më të mira në botë. Problemi është Barça, e cila ka humbur potencialin”, deklaroi Ozil.