Partitë politike, në pushtet dhe opozitë, vazhdojnë të kenë kundërshti lidhur me mënyrën se si duhet qasur dialogut, si dhe për rolin udhëheqës të presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, në fazën finale të dialogut me Serbinë në Bruksel, dialog ky i cili pritet të përmbyllet me marrëveshje juridikisht obliguese për të dyja vendet.
Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, duke thënë se ai e ka vënë veten në krye të procesit të dialogut pa mandat nga Kuvendi i Kosovës. Mandatin për dialogun me Serbinë, sipas tij, vazhdon ta ketë Qeveria e Kosovës, por presidenti Thaçi, siç ka theksuar ai, e ka kidnapuar rolin udhëheqës.
“Kur ishte kryeministër (Hashim Thaçi), ai takohej me (ish-kryeministrin serb Ivica) Daçiqin. Tash dialogu po ndryshon, vetëm pse Hashim Thaçi e ka ndryshuar postin e tij publik. Kjo për ne është e papranueshme, është e kritikueshme dhe duhet të ndalet përmes partive politike të Kosovës, të cilat ia duan të mirën Kosovës”, tha Konjufca.
Në anën tjetër, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike, të pushtetit dhe opozitës, duhet t’i shprehin të gjitha vërejtjet dhe shqetësimet e tyre, në tryezë bisedimesh, përfshirë edhe kundërshtimet për rolin udhëheqës të presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë.
“Është mirë që kjo të vendoset në tavolinë, ku të gjitha subjektet do t’i shprehin mendimet e tyre dhe njëkohësisht i japin fuqi Kuvendit të Republikës së Kosovës, si organit më të lartë të shtetit, në mënyrë që të ketë edhe një kontroll parlamentar për bisedimet. Pastaj, pa paragjykime, mund të vendosen e dhe vijat mbi të cilat duhet të shkohet”, tha Isufi.
Në anën tjetër, të premten e kaluar, presidenti Thaçi u ka bërë thirrje partive politike që të marrin mbi vete përgjegjësitë për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës për dialogun me Serbinë. Për këtë qëllim, ai ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do t’i ftojë në një takim liderët e partive politike.
“Unë pres që me liderët, me bartësit e institucioneve, kryeministrin, kryeparlamentarin, gjithashtu, me liderët politikë të partnerëve të koalicionit, por edhe të liderëve tjerë opozitarë, të ulemi për të konkretizuar themelimin e ekipit negociator të Kosovës. Pastaj, të një ekipi strategjik, por edhe të komisioneve të përbashkëta, që do të punojnë për çështjet që do të hapen në këto takime, në këtë dialog dhe në këto negociata, ku do të përfshihet i gjithë spektri politik”, pati deklaruar Thaçi.
Por, Konjufca ka thënë se presidenti Thaçi i ka hequr vijat e kuqe në raport me Serbinë, në dialogun e Brukselit, gjë që sipas tij, për Lëvizjen Vetëvendosje, është e papranueshme.
“Lëvizja Vetëvendosje mendon që, tash, kur presidenti i hoqi vijat e kuqe me Serbinë, Kuvendi duhet t’ia vendosë vijat e kuqe Hashim Thaçit. Pra, e para, që t’i tregojë që nuk është njeriu i besueshëm që mund t’i udhëheqë këto negociata. E dyta, që të përpilohet një rezolutë nga Kuvendi i Kosovës dhe të vendosen vijat e kuqe edhe për presidentin, por edhe për Serbinë. Pra, që të vendoset një kornizë e interesave të Kosovës, jashtë të cilës nuk mund të dalë çdo njëri që mund të shkojë në të ardhmen dhe të negociojë me Serbinë”, u shpreh Konjufca.
Ndërkaq, Isufi thekson se partitë politike duhet të ulen dhe të bisedojnë për arritjen e një uniteti në qasjen ndaj dialogut me Serbinë.
“Partitë politike duhet të ulen në tryezë të përbashkët, të krijojnë platformën dhe po ashtu të bëjnë përzgjedhjen e ekipit, duke marrë secili përgjegjësinë e vet, në bazë të fuqisë politike dhe institucionale, si dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët, sepse Kosova, sa herë që ka dalë me një unitet, ka dalë më e fortë përballë rreziqeve që ka mundur t’i ketë në të kaluarën”, thekson Isufi.
Ndryshe, partitë opozitare në përgjithësi, deri më tash kanë kundërshtuar që presidenti Thaçi ta ketë rolin udhëheqës të procesit të dialogut me Serbinë. Ato kanë kërkuar që rolin udhëheqës në këtë proces ta ketë Kuvendi i Kosovës.