Paçarizi pas seancës konstituive: Janë hapur dy rrugë, qeverisje e pakicës ose zgjedhje të reja

Prishtinë | 26 Dhj 2019 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Analisti Rrahman Pacarizi ka komentuar zhvillimet e sotme në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku befasisht u zgjodh kryeparlamentar deputeti i VV-së Glauk Konjufca.

Në një intervistë në Info Magazine, Paçarizi shpalosi dy opsione që sipas tij e presin vendin në vijim.

“Janë hapur rrugë të ndryshme. Njëra prej tyre është qeveria e pakicës, të cilën besoj që do ta votonte LDK-ja edhe të tjerët sepse kanë interes që ta fusin Kurtin në valle – ta provojnë në pozitën e kryeministrit – por duke ia vështirësuar punën vazhdimisht. Opsioni tjetër natyrisht që janë zgjedhjet e jashtëzakonshme”.

Sa i përket zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, Paçarizi tha se Vetëvendosje e ka nominuar Glauk Konjufcën me shpresën se nuk do t’i merrte votat e nevojshme, e që seanca konstituive të vazhdonte në pafundësi. Pas këtij zhvillimi, sipas tij, i është dhënë fund koalicionit.

Paçarizi gjithashtu theksoi se tani do të aktivizohet edhe faktori ndërkombëtar.

“Tani do të dalë në skenë edhe faktori ndërkombëtar, miqtë tanë që na këshillojnë kur ne e humbim toruan”.

“Në rast se ndërhyn faktori ndërkombëtar do të kërkohet një qeveri e re gjithëpërfshirëse. Ata po bëjnë të gjitha përpjekjet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja, sepse nuk ka interes që të shkohet në zgjedhje të reja. Ne fakt nuk e di se çfarë do të prodhonin edhe një palë zgjedhje në një kohë kaq të shkurtër”.

Të ngjashme