Pacienti me kancer nga Prishtina refuzon QKUK-në për Hetem Ramadanin

Prishtinë | 13 Qer 2018 | 17:00 | Nga

Ka më shumë se dy muaj që ‘mjeku alternativ’, Hetem Ramadani, po i sfidon mjekët shqiptarë, saktësisht endokrinologët, duke thënë se diabetin mund ta shërojë brenda pak ditëve me anë të një diete. Por Ramadani siç duket ‘dijen’ e tij për mjekësinë po e shpërndanë edhe në sëmundje të tjera përveç asaj të diabetit.

Tash, Ramadani, ka filluar që t’i trajtojë edhe pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit. Pacientin e parë e ka një 60 vjeçar nga Prishtina. Atë tashmë e ka udhëzuar me terapi. Madje ky pacient e ka refuzuar edhe kimioterapinë. Thotë se në mënyrë strikte do t’i bindet recetës së mjekut alternativ, Hetem Ramadanit.

Ka më shumë se dy muaj qëkur  B.Arifi, rreth 60 vjeç nga Prishtina është diagnostikuar me kancer në mushkëri.  Ai është sugjeruar nga mjekët e QKUK-së që të fillojë me kimioterapi. Por Arifi këtë procedurë e ka refuzuar, raporton Express.

Ai para dy javëve ka vendosur që t’i nënshtrohet terapive të mjekut alternativ, Hetem Ramadanit duke hyrë kështu me sugjerimin e Ramadanit në një dietë rigoroze që përmban kryesisht ushqime bimore dhe vitamina.

E gjendja shëndetësore e 60-vjeçarit po vlerësohet si e mirë. Djali i këtij 60-vjecari, A.Arifi, ka deklaruar të mërkurën për Express, se babai i tij po i vazhdon terapitë e përshkruara nga ‘mjeku alternativ’, Hetem Ramadani. Ai ka treguar edhe për terapitë me të cilat po kurohet prindi i tij.

“Terapitë është duke i marrë sipas mjekut. Por me konkluduar rreth rezultatit është ende herët për arsye se ende është java e parë. Vitamina ka me pi si dhe ushqim të caktuar”, thotë A. Arifi.

Tutje ai sqaron për vendimin e babait të tij për ta refuzuar kimioterapinë. Procedurë mjekësore kjo e cila është pothuajse e pashmangshme për pacientët të cilët në trupin e tyre bartin kancer.

“Mjekët i kanë thënë që duhet me u futë në kimoterapi, ky nuk ka hy. Ka vendosë me e provu këtë mënyrën tjetër. Për momentin është mirë. Jemi në pritje të analizave. Ai (Hetem Ramadani), i ka thënë se trupi jot e shëron veten”, ka deklaruar djali i pacientit.

Ai thotë se analizat për shëndetin e babait të tij do të dalin gjatë këtyre ditëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme