Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar sonte se kryeministri i Kosovë, Albin Kurti shkoi i papërgatitur në takimin e Ohrit përballë presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Sipas tij, nga marrëveshja e arritur në Ohër, Serbia fiton më shumë se Kosova, por tani është shumë vonë dhe klasa politike duhet të mendoj rrugën si të përmbushë detyrat që ka marrë përsipër.
“Kurti nuk ka pasur një staf të përgatitur. Vërtet nga një njëri nuk pritet mrekulli, por kishte mundësi të krijonte një staf të fortë, qoftë edhe nga shoqëria civile dhe situata do të ishte ndryshe. Dialogu është kryer me dy njerëz, Kurti dhe Bislimi që nuk kanë treguar para qytetarëve çfarë po bëhet”, tha Pacolli.
Sipas tij, çdo gjë që nënshkruhet ajo duhet të implementohet.
“Është në politikë apo në biznes nuk ka lidhje dhe nëse ajo nuk bëhet humb kredibiliteti i njeriut, në këtë rast i shtetit tonë. Hezitimi në mos implementimin e asaj që është nënshkruar në vitin 2013 e ka bërë Kosovën jo kredibile dhe tani dikush tjetër duhet të marrë masa kundër nesh”, vijoi Pacolli, në Euronews Albania.
“Praktikisht, me këtë që u bë në Ohër, u hap një kapitull i ri, kemi shkuar për një pajtim, në të vërtet nuk ka ndodhur pajtimi, por është hapur edhe një mospajtim për të krijuar kriza në të ardhmen. Aneksi i cili është shumë i diskutueshëm tani nuk ka asnjë pritshmëri për Kosovën, asgjë të mirë për Kosovën, kurse për Serbinë, po. Serbia e garanton atë që ka synuar, themelimin e Asociacionit”.