Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, iu ka kundërpërgjigjur homologut të tij serb, Ivica Daçiq, rreth deklaratave të vazhdueshme të tij për Kosovën dhe shtetësinë e saj.
“Deklarata e fundit e zotëri Daçiq për shtetësinë e Kosovës është brengosëse dhe kërcënuese. Edhe më brengosëse është se zotëri Daçiq e ka marrë përgjigjen që vetë e ka kërkuar prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, apo prej rritjes progresive të numrit të njohjeve në të gjithë globin pas këtij vendimi”.
“Bota do të kishte nevojë tani të dëgjojë qëndrime konstruktive që përmirësojnë jetën e njeriut të thjeshtë, shtojnë sigurinë dhe lumturinë e tyre, që përmirësojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore apo ndërshtetërore dhe jo të dëgjojë deklarata destruktive, prishëse të mjedisit normal ndërkombëtar, si ato që zoti Daçic paralajmëron”, ka thënë Pacolli, përcjell Klan Kosova.
Pacolli ka thënë se do ishte mirë që zotëri Daçiq të ishte sot në Konferencën Ndërkombëtare të Parisit për Luftën kundër terrorizmit, që të dëgjonte sesa e rëndësishme është siguria njerëzore, sesi kontribuohet bashkërisht në luftën kundër terrorizmit.
“Por mjerisht Serbia nuk është këtu. Zoti Daçiq e din se Kosova është shtet i pavarur dhe i konsoliduar dhe ai nuk mund ta ndryshoi këtë realitet”.
“Kosova ka miqtë e vet të fuqishëm si e tregon dhe vizita në Prishtinë e Presidentit të Bashkimit Europian, Donald Tusk dhe ju nuk mund ta ndryshoni këtë me ndërhyrjet tuaja. Me sjelljet tuaja të fundit, me inkursionet tuaja gjoja diplomatike kundër Kosovës ju po bezdisni njerëzit, madje më shumë se kaq”.
“Në përpjekjet tuaja për të dëmtuar Kosovën ju nuk keni arritur asgjë, madje keni shkatërruar “karrierën e miqve tuaj”.
“Ju e dini se për çfarë e kam fjalën, për cilët kryeministra dhe ministra të punëve të jashtme e kam fjalën”, ka thënë Pacolli.