Pacolli dënon rastin e kërcënimit të Agim Bahtirit

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme njëherësh kryetar i AKR-së, Behgjet Pacolli ka dënuar fuqishëm kërcënimin ndaj bashkëpartiakut të tij, kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

“Angazhimi konstruktiv i Bahtirit që të ndërtoj relacione stabiliteti ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë, mund tu pengojë vetëm kriminelëve dhe bandave. Vendosmëria jonë, si institucione, e kryetarit Bahtiri është e paluhatshme dhe e pandalshme para secilës sfidë”.

“Kërkoj nga institucionet kompetente të sigurisë që të ofrojnë mbështetjen e plotë për sigurinë e kryetarit Bahtiri dhe kërcënuesit të nxirren para drejtësisë”, ka shkruar kryediplomati kosovar në Facebook.

Kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri siç njofton komuna që ai drejton, është bërë përmes një letre që i është dërguar atij, transmeton Klan Kosova.

“Në letrën e shkruar në gjuhën angleze, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri kërcënohet me vdekje për shkak të angazhimit dhe insistimit të tij të vazhdueshëm për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër”.

Kërcënuesit thuhet se kërkojnë nga Bahtiri që të mos ndërmarrë asnjë veprim për hapjen e kësaj ure, edhe pse projekti i BE-së për rivitalizimin e saj ka përfunduar në tërësi.

Për rastin e kërcënimit të Bahtirit është njoftuar Policia e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse, të cilat janë duke u marrë me këtë çështje.

Sipas tij, kërcënimet e këtilla dhe asgjë tjetër, nuk mund të ndalin në asnjë mënyrë angazhimin dhe përkushtimin e tij për paqe, tolerancë dhe për stabilizimin e plotë të gjendjes në Mitrovicë, që nënkupton edhe hapjen sa më të shpejt të urës kryesore mbi lumin Ibër për lëvizje e qarkullim të lirë të njerëzve dhe automjeteve në të dyja drejtimet të qytetit.

Bahtiri ka kërkuar nga qytetarët që të mos dekurajohen nga ky veprim qyqar i individëve apo grupeve kriminale që siç tha ai “nuk duan përmirësim të gjendjes në qytetin e Mitrovicës e as përmirësim të raporteve ndëretnike e të bashkëpunimit midis qytetarëve të të dyja komunave”.

.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme