Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, të udhëhequr nga komisioneri ministror, Istvan Joo.
Në takim gjithashtu morën pjesë edhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markuz; presidenti i Komitetit për Ballkanin Perëndimor në Odën Ekonomike dhe të Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, si dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Albena Reshitaj.
“Veç ri-theksimit të mbështetjes së fuqishme hungareze ndaj anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në Komunitetin Ndërkombëtar dhe avancimit të agjendës euro-atlantike, një vëmendje e posaçme i është kushtuar projekteve të rëndësishme në fushën e mjedisit”, thuhet në një komunikatë të MPJ-së, të lëshuar pas takimit.
Në takim konkretisht është biseduar rreth implementimit të Marrëveshjes për Themelimin e Programit Kornizë për bashkëpunim financiar ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë, si dhe formimin e komitetit drejtues nga Ministria e Financave e Kosovës, me qëllim të identifikimit të projekteve, si dhe përgatitjen e kushteve për zbatimin e tyre.
Ministri Pacolli foli rreth prioriteteve të Republikës së Kosovës, duke nënvizuar projektet në fushën e trajtimit të mbeturinave dhe të ujërave të zeza. Ai gjithashtu theksoi se nga zbatimi i këtyre projekteve do të jetë një mundësi e mirë e përfitimit nga përvojat hungareze, gjë që njëkohësisht do të shërbejë në themelimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Pala hungareze ka cekur rëndësinë e identifikimit, si dhe zbatimit të projekteve të cilat do të realizohen në kuadër të marrëveshjes për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar me Kosovën.
“Gjatë kësaj bisede, janë ri-konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes dy vendeve me zotime dhe përkushtime të reja për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve në fusha të interesit të përbashkët”, theksohet në njoftimin e MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme kishte bashkë-kryesuar në sesionin e parë të Komisionit të Përbashkët për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë, e që ishte realizuar në prill të këtij viti.