Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli përmes një postimi në facebook ka thënë se epopeja e UÇK-së, e udhëhequr nga Komandanti legjendar Adem Jashari, shënon kulminacionin e sakrificës, që populli dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bënë për lirinë dhe pavarësinë që gëzohet sot.
“Bota perëndimore njohu guximin, sakrificën, flijimin, dhe vullnetin e shqiptarëve për liri dhe shtet. UÇK-ja ishte në ballë të kombit, përderisa ajo çfarë gëzojmë sot, ishte besimi i ushtarëve, se kjo tokë e ky vend, përherë ka qenë, është, dhe do të mbetët, amaneti i njerëzve të saj.
Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës. UÇK-ja u dha fund përpjekjeve për ta çuar Kosovën në autonomi dhe nën sundimin vazhdueshëm serb dhe bëri që populli i Kosovës të luftojë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Pas sakrificës së familjes Jashari, nuk kishte rrugë tjetër veç sakrificës kolektive për atdheun”.
“Asnjëherë si sot, është e rëndësishme që të mbrojmë historinë tonë, të mbrojmë narrativën tonë që disa po përpiqen të ndryshojnë duke përndjekur më agjenda të Kremlinit dhe të Beogradit luftën për pavarësi dhe liri nga UÇK-ja dhe udhëheqja e saj dhe duke u dhënë amnisti atyre në Serbi që vranë familjen Jashari dhe mijëra dhe mijëra civilë të pafajshëm. Ne duhet të ngrihemi dhe të stopojmë revizionizmin dhe pa-drejtësitë në Hagë”.
Pacolli ka thënë se epopeja e lufta UÇK-së në Kosovë dhe lufta në Ukrainë sot janë luftë e civilizimit kundër barbarisë në Evropë. Luftë kundër agresionit. Është lufta kundër fashizmit dhe tiranisë!